Një manekinë robot që mund të vrapojë, të ulet e të ngrihet, dhe madje
të imitojë lëvizjet e një ushtari është prezantuar për herë të parë në
Britani nga Ministria e Mbrojtjes.

Roboti, me vlerë 1.1 milionë stërlina dhe i zhvilluar përmes teknologjisë së Formula 1, do të testojë kostumet mbrojtëse dhe pajisjet e reja ushtarake.

Projektuesit kanë deklaruar se roboti mund t’i ndihmojë në krijimin e brezit të ri të pajisjeve mbrojtëse të ushtarëve. Ministria e Mbrojtjes deklaroi se manekina e re animatronike është unike në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo është realizuar për Laboratorin e Shkencës dhe Teknologjisë së Mbrojtjes, ku testohen kostumet e ushtarëve ndaj rrezikut të agjentëve kimikë.

Roboti mund të ngrejë krahët e tij për të imituar sinjalet e dhëna nga ushtarët, si dhe mund të marshojë dhe të ulet në gjunjë.

Prototipet e mëparshme u prezantuan për herë të parë në Britaninë e Madhe në fund të viteve ’90 dhe ndihmuan në projektimin e kostumeve në gjendje t’u rezistojnë agjentëve kimikë, biologjikë dhe radiologjikë, që përdoren aktualisht nga forcat e armatosura.

Por realizimi i fundit ka një shumëllojshmëri lëvizjesh krahasuar me modelet e mëparshme, përfshirë atë të kokës.

Pak ditë më parë ishte Marina e Shteteve të Bashkuara që njoftoi se gjatë verës do të testojë robotët-zjarrfikës për të luftuar zjarrin. 

FOTO GALERI
1/1

Top Channel