Fitnesi kardiak ndihmon edhe trurin

05/04/2014 00:00

Ushtrimet aerobike kur jeni rreth të 20-ave mund të mbrojnë trurin kur të arrini moshën e mesme, sugjeron një studim amerikan.

Sipas studimit, aktivitetet për të mbajtur në formë zemrën, si vrapi, noti apo çiklizmi, ruajnë më mirë aftësitë e të menduarit dhe kujtesën 20 vjet më vonë.

Shkencëtarët deklarojnë se studimi, i publikuar në revistën “Neurology”, është një konfirmim më shumë se ushtrimet fizike për të mbajtur zemrën në formë i japin përfitime edhe trurit.

Fitnesi kardiak është një mënyrë e mirë që trupi të thithë oksigjenin dhe gjatë tij ai transportohet deri tek muskujt.

Studiuesit e Universitetit të Minesotës, në Mineapolis, testuan rreth 3 mijë persona të shëndetshëm me një moshë mesatare 25 vjeç. Ata iu nënshtruan testeve që konsistonin në ushtrime fizike rutinë gjatë vitit të parë të studimit dhe sërish 20 vjet më pas.

Atyre iu kërkua të vraponin sa më gjatë të ishte e mundur para se të raskapiteshin apo t’u merrej fryma. Testet e bëra 25 vjet pas fillimit të studimit matën kujtesën dhe aftësitë e të menduarit.

Njerëzit që kishin vrapuar më shumë gjatë ushtrimeve rutinë patën një performancë më të mirë sa i përket kujtesës kur kaluan të 40-at, edhe pasi ishin rekuperuar nga faktorë të tjerë si duhani, diabeti dhe kolesteroli i lartë.

Top Channel