Parashutistja vdes në përpjekje për të thyer rekordin

05/04/2014 00:00

Një parashutiste gjermane gjeti vdekjen në përpjekje me kolegët e saj për të thyer një rekord botëror.

Diana Paris, 46 vjeç nga Berlini humbi jetën të enjten në mëngjes pas një keqfunksionimi të parashutës së saj qendrore, e cila u hap vetëm pak metra lartësi duke mos zbutur përplasjen e viktimës.

Diana ishte pjesë e një rrjeti global parashutistësh që u mblodhën në Arizona të Shteteve të Bashkuara për të vendosur rekordin e hedhjes në formacion. 222 prej tyre u lëshuan njëkohësisht drejt tokës duke formuar formacione.

Pas aksidentit të rëndë, shoqata globale e parashutistëve deklaroi se incidenti nuk kishte lidhje me numrin e personave që morën pjesë në hedhje dhe se gjithcka ishte një keqfunksionim fatal në parashutën e 46-vjeçares dhe se asnjë parashutist tjetër nuk është i përfshirë.

Bashkëshorti i viktimës deklaroi se 46-vjeçarja ishte eksperte në hedhjen me parashutë dhe gjatë gjithë karrierës së saj, kishte realizuar mbi 1500 të tilla. Ndërkohë, shoqata e parashutistëve deklaroi se do të vazhdojë përpjekjen për të thyer rekordin botëror, duke u hedhur 221 vetë në formacion.

“Mikesha jonë e shtrenjtë nuk mund, dhe nuk do të zëvendësohet. Grupi do të vazhdojë tër ruajë vendin bosh në nderim të saj”, thuhet në deklaratën e tyre.

Top Channel