Paralelisht me fushatën për zgjedhjet presidenciale, që është duke vijuar, partitë politike në Maqedoni kanë filluar të shtunën edhe fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 Prillit.

Dy partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, kanë nisur fushatën me vizita në disa institucione të rëndësishme për historinë shqiptare, duke nderuar veprimtarët e shquar të kauzës kombëtare.

Kandidatët e BDI-së për deputetë kanë vizituar Muzeun e Alfabetit në Manastir, Muzeun e Lirisë në Shkup, atë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, për të përmbyllur aktivitetet me një miting në fshatin Sllupçan të Kumanovës.

“Kjo do të jetë një fushatë politike, në të cilën qytetarët do të zgjedhin mes dy koncepteve politike. I pari, të cilin e promovon partia më e madhe maqedonase, për rikthimin e konceptit të vasalitetit për shqiptarët dhe të gjithë jo-maqedonasit në vend; dhe i dyti, koncepti politik i BDI-së, që ka për qëllim vulosjen e identitetit shtetformues të shqiptarëve dhe realizimin e ëndrrës për integrim në strukturat euroatlantike për shqiptarët e Maqedonisë. Unë, personalisht, ftoj për 25 mandate politike, me qëllim që të fitojmë sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Ermira Mehmeti, nga BDI.

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, në vigjilje të fushatës zgjedhore parlamentare, ka bërë homazhe pranë varrit të të ndjerit Arben Xhaferri.

PDSH-ja, tubimin qendror në ditën e parë të fushatës elektorale e ka zhvilluar në Hasanbeg të Shkupit, ku ka promovuar kandidatët për deputetë dhe kandidatin presidencial Iljaz Halimi.

Dy partitë më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, fushatën e kanë nisur në Shkup. Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare zgjat deri më 25 Prill. Në garën për 123 vende në Parlamentin e Maqedonisë konkurrojnë 14 lista për deputetë.

Top Channel