Durrës, zjarri përfshin fabrikën e gomave

06/04/2014 00:00

Një zjarr i fuqishëm që përfshiu një fabrikë të përpunimit të gomës ka krijuar një situatë emergjence në Sukth të rrethit të Durrësit.

Objekti ndodhet pranë një njësie magazinimi dhe tregtimi të vajit dhe karburantit për automjete si dhe stadiumit të Sukthit. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar shërbimet zjarrfikëse si dhe ato të policisë që kanë ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe godinave të biznesit rreth e rrotull.

Zjarrfikësit kanë mundur të bëjnë izolimin e vatrës së zjarrit që rrezikonte të përhapej dhe në depozitat e vajit dhe karburantit që ndodhen pak metra larg objektit në flakë.

Në vendin e ngjarjes deklarohet se nuk ka të lënduar në njerëz, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale.

Përveç subjektit të dëmtuar nga zjarri, shkaqet e të cilit nuk dihen ende, panikut në komunitet, kjo situatë deklarohet se ka shkaktuar dhe një ndotje të lartë mjedisore nga djegia e gomave dhe tymi toksik që është përhapur në krejt zonën.

Top Channel