Diplomat e Mjekësisë

06/04/2014 00:00

Mungesa e diplomave universitare për studentët që mbarojnë Fakultetin e Mjekësisë duket se është kthyer në një problem shqetësues për ta.

Për këtë problem reagoi sot Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Ali Rifatllari, i cili u shpreh se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që pajisja juaj me diplomat universitare do ju shërbejë shumë për aplikimet në instanca të ndryshme brenda dhe jashtë vendit”, shprehet rektori në një deklarate për shtyp.

Për këtë arsye, Universiteti i Mjekësisë, informon studentët e tij se është në proçes të vazhdueshëm bashkëpunimi dhe komunikimi me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të plotësuar çdo kriter në përputhje të plotë me standardet e kërkuara.

Universiteti informon gjithashtu, se studentëve, të cilët kanë aplikuar në instancat e ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, u është mundësuar çertifikimi i diplomimit për të lehtësuar procedurat në aplikimet e tyre, por kërkon ndërkaq mirëkuptimin e tyre për vonesat e krijuara.

“Jemi drejt finalizimit të procesit të pajisjes tuaj me diploma”, përfundon deklarata e rektorit të Universitetit të mjekësisë, Ali Refatllari.

Top Channel