SHBA, edhe dy anije luftarake në Japoni

06/04/2014 00:00

Deri në 2017-ën, Amerika do të dërgojë në Japoni edhe dy anije të tjera lufte, duke e çuar në 7 numrin e destrojeve të saj, të stacionuar në vendin aleat.

Pohimi i Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel bërë gjatë vizitës në Tokio, u përkthye si paralajmërim, aq më tepër i shoqëruar me deklaratën pasuese, e cila i kërkonte Kinës të respektojë fqinjët e saj.

Komentet si rrallëherë kaq të drejtpërdrejta e disi të ashpra ndaj Pekinit, Hagel i shoqëroi me heqjen e paraleleve mes aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia dhe mosmarrëveshjeve të vazhdueshme territoriale mes Kinës, Japonisë dhe të tjerëve në lidhje me ishujt e largët në Detin e Kinës Lindore.

“Besoj se po shohim prova të qarta të një mungese respekti, frikësimi dhe demonstrimi force në Europë sot, me atë çfarë bënë rusët në Ukrainë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm e të drejtpërdrejtë me të gjithë vendet e globit, kur themi se të tilla qëndrime nuk i takojnë shekullit të 21-të; nuk mund të shkosh nëpër botë e të ripërcaktosh kufij, të shkelësh forcërisht integritetin dhe sovranitetin e kombeve të pavarura, të përdorësh frikësimin e të bësh presione si për ishujt e vegjël të Paqësorit, ashtu dhe për kombet e mëdha në Europë”, tha Hagel.

Ndalesa e shefit të Pentagonit në kryeqytetin japonez ishte pjesë e përpjekjeve për të treguar mbështetjen e Uashingtonit, përballë testeve raketore të Koresë së Veriut.

Hagel e kishte paralajmëruar që në muajin Shkurt ekspansionin e kapaciteteve të mbrojtjes anti-raketë në Azi, me planifikimin e një sistemi radarësh shtesë në Japoni, i cili të diktojë çdo raketë të lëshuar nga shteti komunist.

Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Tokios janë aktualisht të tensionuara nga grindjet territoriale mbi ishujt e Detit të Kinës Lindore, të njohura si Senkaku në Japoni dhe si Diaoyu në Kinë.

Të dy vendet i pretendojnë me të njëjtin intensitet, por ky nuk është i vetmi konflikt i këtij lloji në rajon. Një grup tjetër ishujsh, këtë herë në Detin e Kinës Jugore, kërkohen po me kaq forcë nga Filipinet, Brunei, Malajzia, Vietnami dhe Tajvani.

Top Channel