Kinë, rreh fëmijën me varëse rrobash se nuk kishte bërë detyrat e shtëpisë

07/04/2014 00:00

Policia kineze ka vendosur të mos marrë asnjë masë ndaj nëne e cila ka rrahur brutalisht me varëse rrobash djalin e saj 6-vjeçar pasi nuk kishte bërë detyrat e shtëpisë.

Dëmtimet e Xiao Bingut u zbuluan nga edukatorja e kopshtit në momentin që ai po ndërrohej për orën e gjimnastikës. Menjëherë ajo lajmëroi policinë, por autoritetet nuk morën masa ndaj nënës pasi sipas tyre dëmtimet nuk ishin aq të rënda sa dukeshin.

Zëdhënësi i policisë tha: “Djali nuk bënte detyrat dhe prindërit na thanë që duhet t’i jepnin një mësim të mirë. Bëhet fjalë për një djalë të prapë që shpesh nuk i bënte detyrat e shtëpisë. I paralajmëruam që në të ardhmen të mos e rrihnin aq shumë.”

E nxehur nga fakti që policia nuk bëri asgjë, edukatorja i ka bërë foto kurrizit vija-vija të djalit dhe i ka postuar në internet për të treguar ashpërsinë me të cilën trajtohen fëmijët kinezë nga prindërit e tyre kur vjen puna për mësimet.

Top Channel