Partia Demokratike Shqiptare ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim për për frikësimin e votuesve shqiptarë dhe për mënyrën e financimit të fushatës elektorale.

Sipas PDSH-së, Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, i ka detyruar kryetarët e komunave shqiptare që paratë nga buxheti të mbulojnë shpenzimet e fushatës elektorale të partisë.

PDSH-ja e Menduh Thaçit ka publikuar të hënën para mediave letrën me të cilën sipas saj, Artan Grubi i ka detyruar krerët e komunave të paguajnë fatura për blerjen e pajisjeve teknike të nevojshme për fushatë.

“Këtu, me të zezë mbi të bardhë, Artan Grubi iu shkruan kryetarëve të komunave dhe i urdhëron të paguajnë faturat e harxhimeve për nevojat partiake të fushatës elektorale. Ky dokument tregon se deri në çfarë shkalle ka mbërritur korrupsioni dhe krimi i organizuar në radhët e BDI-së! Financimi kriminal, blerja e votës dhe frikësimi i shqiptarëve nga ana e BDI-së ka marrë përmasa shqetësuese”, deklaroi përfaqësuesi i PDSH, Muhamet Thaçi.

Këto akuza të PDSH-së opozitare ndaj Artan Grubit, për shpërdorimin e mjeteve financiare për fushatën elektorale, partia e Ali Ahmetit i ka quajtur shpifje.

“Sikurse deri tani, Partia Demokratike Shqiptare në opozitë vazhdon të shpifë. Kjo nuk ka lidhje me BDI-në dhe fushatën e saj, por me shënimin e një date të madhe për shqiptarët siç është dita e pavarësisë së Kosovës dhe manifestimi Dita e Plisit gjatë vitit 2013. Është e vërtetë se institucionet shtetërore të udhëhequra nga shqiptarët kanë mbështetur këtë manifestim dhe këtë e kanë bërë publikisht”, ka thënë Muhamet Hoxha nga BDI.

Të gjitha dokumentet me të cilat PDSH akuzon zyrtarët e BDI-së për përfshirje në afera korruptive do t’i dorëzohen institucioneve përkatëse në vend dhe përfaqësive të huaja diplomatike në Shkup.

Top Channel