Nis procesi për plotësimin e AMA-s

07/04/2014 00:00

Komisioni i medias dhe i arsimit, për të dytën herë rresht është mbajtur peng nga kryetari Genc Pollo. Për më shumë se pesë orë, komisioni nuk ka mundur të punojë me kalendarin dhe rendin e ditës, pasi Pollo ka refuzuar në mënyrë të përsëritur që të fusë në rend dite memon e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, për plotësimin e katër vendeve vakante të AMA-s.

“Meqenëse ju e keni aftësinë bllokuese me ligj, ju nuk mund ta keqpërdorni atë. Unë mendoj se ne duhet të ecim përpara”, deklaroi anëtari socialist i komisionit, Musa Ulqini.

“Ju lutem zoti kryetar, ju duhet të hidhni në votë propozimin. Ftoj të gjithë të mos lejojmë kryetarin të vijojë këtë maskaradë që vazhdon prej pesë orësh dhe që po hyn në orën e gjashtë. Ai duhet të hedhë për votim propozimin mbi bazën e rregullores, të tjerat s’kanë lidhje me punën e këtij komisioni”, deklaroi nënkryetari Alfred Peza.

“Çështja e AMA-s është një çështje me vendimmarrje ekzekutive dhe për këtë duhet të kalojë nga konferenca e kryetarëve, si organi epror i të gjitha komisioneve. Të paktën këtë mësojeni”, tha nga ana e tij Pollo.

Kryetari i komisionit, në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të vijojë punën sipas kalendarit të miratuar nga mazhoranca, duke cilësuar të paligjshme jo vetëm atë, por edhe urdhëresën e kryetarit të Kuvendit, duke tejkaluar ndjeshëm kompetencat e tij dhe duke shkelur rregulloren e punës së komisionit.

Zoti Pollo ka kthyer një mbledhje serioze në një skenë teatri sa absurd aq edhe komik, duke u tallur me deputetët dhe duke harxhuar orë të kota me diskutime pa vlerë.

“Po ju, s’keni punë tjetër ju të shtypit? Kam porositur një kafe”, thoshte Pollo duke penguar seancën. “Kemi tetë orë që diskutojmë këtu. Sjellja juaj është e pamoralshme dhe e papranueshme”, replikoi një nga anëtarët e mazhorancës.

Vetëm pas plot pesë orë e gjysmë zvarritjesh dhe deklaratash politike, komisioni ka mundur të kalojë kalendarin e punës, edhe pse të miratuar një herë javën e kaluar. Në këtë mënyrë, me miratimin e kalendarit hapet rruga institucionalisht për plotësimin e katër vendeve të mbetura bosh në AMA.

Top Channel