Të ngujosh gjakmarrjen

07/04/2014 00:00

Gjakmarrja ka qenë sërish në qendër të emisionit “Shqip” në Top Channel. Fenomeni që ka ngujuar dhjetra familje e qindra fëmijë është diskutuar nga një panel i përbërë nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, politikani kosovar Adem Grabovci, analisti shqiptar nga Maqedonia Kim Mehmeti dhe aktivisti për pajtimin e gjaqeve, Riza Krasniqi.

Në fjalën e hapjes, kreu i zyrës së Top Channel në Shkup, Kim Mehmeti analizoi: “Shoqëria shqiptare në Shqipëri është egërsuar goxha. Është egërsuar në çdo sferë, ndaj edhe ky fenomeni mbetet problematik”.

Pjesë e nismës kundër gjakmarrjes është bërë edhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, jo thjesht i institucion.  Ajo u ndal tek karakteristikat e gjakmarrjes, një dukuri që prek kryesisht famljet e varfëra dhe që u trashëgohet edhe të vegjëlve.

“Shumica e vrasjeve për gjakmarrje në ditët e sotme ndodhin në qytet, ku familjet në gjak janë zhvendosur nga fshatrat e izoluar. Një pjesë e mirë e autorëve të vrasjeve janë njerëz të paarsimuar dhe në disa raste pa preçedentë në polici. Dua të theksoj se, në familje ekziston për një kohë të gjatë ndjesia e gjakmarrjes, pasi u trashëgohet të rinjve nga të vjetrit”, ka treguar Nikolla.

Ndërsa politikani kosovar Adem Grabovci, nismëtar i aksioneve të pajtimit të gjaqeve, ka treguar faktorët që kanë ndikuar në përhapjen e këtij fenomeni në Kosovë dhe metodat për ta luftuar atë.

“Këtë dukuri duhet ta luftojmë në Shqipëri dhe Kosovë. Kur ne ndërmorëm nismën e pajtimit të gjaqeve, diskutuam me gjithë të dënuarit për gjakmarrje dhe nga bisedimet verifikuam se arsyet kryesore ishin përçarja e popullsisë dhe pushtimi. Por ne në Kosovë patëm një sukses të shpejtë. Ne vendosëm që natën e parë të aksionit që tek familja që ka qenë e dëmtuar të çonim një mesazh: Se ne nuk e kërkojmë faljen në emër të vrasësit, por në emër të së ardhmes. Ne kemi punuar me familjet më të vështira dhe të parës që i shtrimë dorën ishte një nga më të nderuarat. Ajo ka pasur konflikt me një familje tjetër dhe kjo e fundit, pas pajtimit, u bë pjesë e aksionit tonë. Çdo njeri që fal duhet të përshëndetet dhe të nderohet”, ka thënë Grabovci.

Gjatë emisionit, përveç opinioneve të panelistëve, pati edhe një lidhje direkt me kryeprokurorin e rrethit Shkodër, më i prekuri nga gjakmarrja, Besnik Cani.

Në fjalën e tij zoti Cani ka vënë në dukje se “gjakmarrja” ka qenë kryefjala e misionit të prokurorisë së Shkodrës. Sipas tij, problemi në fjalë është akut, por nismat e ndërmarra nga institucionet e drejtësisë dhe komunitetet, kryesisht ato fetare, kanë dhënë rezultate.

“Kryefjala për prokurorinë në Shkodër ka qenë gjakmarrja. Ajo që identifikuam si prioritet ishte formimi i besimit të publikut tek institucioni i prokurorisë, i gjyqësorit dhe policisë. Në këtë kuadër, prokurori i përgjithshëm organizoi një seminar në rajonin e Shkodrës, me përfaqësues të institucioneve të ndryshme. Përbërja e asaj tavoline kishte si qëllim përballjen e agjencive të zbatimit të ligjit me këtë fenomen, duke krijuar besimin tek publiku dhe duke vënë në punë edhe operatorët e tjerë, si komunitetet fetare”, ka thënë Cani.

Sipas tij, oficerët e policisë gjyqësore të Shkodrës janë angazhuar seriozisht në pajtimin e gjakrave dhe vazhdojnë të trokasin në derën e çdo familjeje që është në ngujim, duke arritur rezultate konkrete.

“Deri tani kemi shkuar në disa komuna dhe familjet e pranojnë që janë në gjak. Nga 10 familje të identifikuara, vetëm 1 është në ngujim konkret. Në 9 rastet e tjera familjet nuk ndodhen në një ngujim klasik, pasi kanë qenë raste kur drejtësia ka funksionuar dhe ka ndëshkuar autorin e vrasjes”, ka saktësuar kryeprokurori.

“Synimi ynë është që në fund të procesit të kemi të dhëna të sakta: sa familje janë në gjak, sa janë në ngujim, etj. Të dhëna këto që t’i përdorim ne si prokurori por edhe institucione të tjera shtetërore”, ka vijuar ai, duke shtuar se, në Shqipëri ka një trend në ulje të gjakmarrjes.

“Vrasje ka, por jo të gjitha janë për gjakmarrje. Në vitin 2013 janë verifikuar vetëm 2 vrasje për këtë motiv. Që nga 2010-a ka një trend në ulje edhe për shkak të reagimit të shtetit”, ka shtuar Cani.

Nga Kosova mbërrin mbështetja dhe një nismë konkrete kundër gjakmarrjes; arsimimi.

“Duhet ta ndalim fenomenin sepse merr jetë dhe dëmton imazhin e shoqërisë shqiptare sidomos tani kur është lëvizja drejt Europës. Dëmi që po i shkakton në aspirata të përgjithshme. Ne japim bursa të plota, qasje nëpër biblioteka, qoftë online, për të gjithë qytetarët e Shqipërisë që falin gjakun”, deklaroi në një intervistë për Top Channel Rektori i Universitetit, AAB në Prishtinë, Xhavit Rexha.

Aktivisti i pajtimit të gjaqeve fillimisht në Kosovë e tashmë në Shqipëri, Riza Krasniqi tha: “Shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoni janë shprehur të gatshëm për të luftuar gjakmarrjen. Sot po synohet që t’i jepet goditja e fundit gjakmarrjes, goditja fatale u dha nga studentët në Kosovë dhe po studentët në Shqipëri do t’i japin goditjen fatale këtij fenomeni”.

“Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj dhe unë i bëj thirrje studentëve se ne këtë aksion në Kosovë e kemi nisur kur luftohej për ekzistencë, ne na diktoi armiku që të bashkohemi, por sot të mos presim që shqiptarët të mobilizohen vetëm atëherë kur kanë një kërcënim të jashtëm, por të mobilizohemi të gjithë së bashku si një trup, për një jetë më të mirë”, tha zoti Grabovci.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u ndal tek disa nisma të institucionit që drejton. “Patjetër bursa falas për ata që falin gjakun, por janë ofruar një sërë biznesesh të ndihmojnë që fëmijët e ngujuar të mund të zhvillojnë mësimin online. Qeveria shqiptare do të mundësojë gjithcka që ata të dalin nga kjo gjendje. Ne kemi partnerë të rëndësishëm, kemi përvojën e Kosovës që edhe pse në kushte krejt tjera ia doli që kjo të jetë plagë e harruar e Kosovës”.

Në fund të fjalës së saj dhe të emisionit, Ministrja Nikolla u shpreh optimiste dhe me besim jo vetëm në aktivizimin e studentëve, vecanërisht atyre të Universitetit të Shkodrës, por edhe në suksesin dhe fitoren në luftën kundër këtij fenomeni.

Top Channel