Meksikë, kartelet luftojnë me “përbindësha”

08/04/2014 00:00

Kallashnikovët dhe pistoletat duket se kanë dalë jashtë mode në Meksikë.
Tani grupet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë “përbindëshin”,
një autoblindë artizanale.

Kështu, një grup i armatosur që dyshohet se i përket kartelit Los Zetas ka dalë me mjetin në fjalë në rrugët e qytetit Siudad Mier, në shtetin e Tamaulipës, duke terrorizuar banorët.

Trafikantët kanë hapur zjarr ndaj një hoteli dhe më pas kanë mbajtur nën regjim terrori qytetin për rreth tre orë, derisa janë tërhequr.

Për momentin nuk dihet bilanci i viktimave, por shteti i Tamaulipës është kthyer prej vitesh në fushë beteje mes kartelit Los Zetas dhe kartelit të Gjirit, organizatë nga e cila të parët u shkëputën për të menaxhuar në mënyrë autonome trafiqet ilegale, nga emigrantët tek droga.

Shpesh dy fraksionet përdorin “përbindëshat” për të kryer sulme ndaj njëri-tjetrit apo për të mbrojtur autokolonat e tyre. Zakonisht bëhet fjalë për kamionë ose autobusë të modifikuar në ofiçina klandestine.

Mekanikët blindojnë kabinën e shoferit dhe më pas pjesën tjetër me copa metalike të rënda dhe mjeti mund të transportojë nga 12 në 20 persona, që mund të hapin zjarr nga vendi i tyre.

Në disa raste automjetet pajisen me kabinë të sipërme, ku mbahen armë të të rënda si “Barret” e kalibrit 50. Të shfaqur për herë të parë në vitin 2010, “përbindëshit” janë përhapur shumë pikërisht në Tamaulipas, ku forcat e rendit kanë sekuestruar shumë prej tyre.

Me kalimin e viteve, kartelet i kanë kthyer ato në mjete gjithnjë e më të sofistikuara. Disa prej tyre janë të pajisur edhe me ajër të kondicionuar dhe dispozitivë për të hedhur në rrugë gozhda ose vaj për të penguar kundërshtarët, si dhe mjete moderne komunikimi.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel