Qindra shqiptaro-amerikanë në Shtetet e Bashkuara janë nisur drejt
Uashingtonit, për të protestuar kundër vizitës së kryeministrit të Malit
të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili do të pritet nga zv.presidenti Joe
Biden.

Sipas raportimeve të “Kosovapress”, shqiptarët e Amerikës janë të pakënaqur nga shtypja që po u bëhet shqiptarëve në trojet etnike të Malit të Zi, ku mungojnë të drejtat themelore të tyre, dhe përmes protestës do të kërkojnë që vendit të mos i jepet mbështetje për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Një pjesë e mirë e shqiptarëve të Amerikës vijnë nga trojet etnike në Malin e Zi, të cilët kanë rënë pre e spastrimit etnik që qeveritë e ndryshme malazeze kanë ushtruar për dekada me radhë.

Sipas tyre, kryeministri Gjukanoviç po luan një lojë të dyfishtë, në njërën anë ai po krijon miqësi personale me liderët politikë në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa në anën tjetër vazhdon të shtypë shqiptarët në trojet e vendit të tij.

Kjo demonstratë konsiderohet si një ndër më të organizuarat pas luftërave në Kosovë dhe Maqedoni dhe jep shenjë se Mali i Zi do të kundërshtohet me çdo mjet për shkak të politikës diskriminuese që po ushtron mbi shqiptarët.

Mali i Zi është një vend që ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vendet anëtare të të cilit, si Italia dhe Franca, insistojnë fuqishëm që integrimi të bëhet sa më parë, duke harruar bëmat e mëparshme të Gjukanoviç për kontrabandën e duhanit në Evropë.

Top Channel