A është e mundur që dashuria të zgjasë përgjithmonë?

08/04/2014 00:00

Teksa jeta juaj ecën drejt ujërave të qeta, në sytë e
bashkëshortit/bashkëshortes suaj do të gjeni lumturi dhe dashuri. Dielli
shkëlqen dhe zemrat janë të lidhura me gëzim dhe përmbushje. Sa lumturi
të kesh gjetur partnerin e jetës! Ju përjetoni një siguri të madhe se
do ta doni atë njeri përgjithmonë. Por a duhet të betoheni solemnisht se
do ta doni dikë përgjithmonë?

Përgjigjja varet shumë mbi masën me të cilën mund të parashikoni saktësisht gjendjen tuaj emocionale të ardhshme. Dashuria është mbi të gjitha një emocion, ashtu sikurse inati, dëshpërimi apo euforia, mund të jetë i panënshtruar ndaj dëshirave tona të vetëdijshme.

Çfarë thotë literatura shkencore rreth aftësisë sonë për të parashikuar gjendjen emocionale të ardhshme? Lajmi nuk është i mirë.

Duke ndjekur gjurmët e pionierëve të parashikimit të ndjenjave, Daniel Gilbert (Universiteti i Harvardit), Timoti Uilson (Universiteti i Virxhinias), Xhorxh Louenstein (Universiteti Carnegie Mellon) dhe Daniel Kahneman (Universiteti i Princeton) dhe dhjetëra shkollarë të tjerë, kanë prezantuar prova se njerëzit janë çuditërisht të pasaktë kur parashikojnë reagimin e tyre emocional në ngjarjet e së ardhmes.

Nëse parashikojmë reagimet e së ardhmes në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve, lojërat e futbollit apo procedura mjekësore, parashikimet tona janë zakonisht të ndryshme nga eksperienca aktuale.

Ndarja, e thjeshtë për t’u bërë

Në një studim të fundit, shkencëtarët ekzaminuan sesa të saktë janë njerëzit kur parashikojnë përgjigjen emocionale ndaj ndarjeve. Pjesëmarrësit në studim ishin të përfshirë në marrëdhënie dashurie serioze. Ata plotësonin një test online çdo dy javë, ku pyeteshin për aspekte të ndryshme të jetës së tyre personale dhe profesionale.

Në fund të çdo pyetësori, atyre u kërkohej të parashikonin sesa të stresuar do të ishin nëse marrëdhëniet e tyre do të përfundonin dy javë më pas. Edhe kur u ndanë nga partnerët e tyre, ata vazhduan ta plotësonin pyetësorin, gjë që u bëri të mundur studiuesve të krahasonin parashikimin e stresit përpara dhe pas ndarjes. Për shembull, shkencëtarët analizuan sesi ishin shprehur pjesëmarrësit se do ta përjetonin fundin e një marrëdhënieje pas tetë javësh dhe ata kontrolluan gjendjen e tyre shpirtërore tetë javë pasi ishin ndarë në të vërtetë.

Në përgjithësi, pjesëmarrësit e mbivlerësonin stresin që do të ndienin dhe këto parashikime ndjesore u bënë më të dukshme pothuajse menjëherë pas ndarjes.

Ata individë që kishin parashikuar ndjesitë kur ishin shumë të dashuruar me partnerin, ishin pothuajse të pasaktë. Ata kishin parashikuar se do t’i shkatërronte ndarja, por në të vërtetë kur u ndodhi prishja e marrëdhënies, nuk e përjetuan aq keq.

Ekzistonin mospërputhje të mëdha në parashikimet e para ndarjes midis atyre që thoshin se ishin shumë të dashuruar dhe atyre që nuk ishin edhe aq. Në realitet, të dashuruarit kishin vetëm pak më shumë stres sesa ata që nuk ishin dashuruar me partnerin.

Përfundimet e studimit rekomandojnë se shumica e njerëzve e mendojnë stresin e një ndarjeje shumë të dhembshëm kur e parashikojnë gjatë kohës që janë të dashuruar me partnerin.

A duhet të betoheni?

Çfarë lidhje ka kërkimi mbi parashikimin dhe betimi në ditën e martesës? Ai sugjeron që ne duhet të jemi të kujdesshëm për sa i përket parashikimit të gjendjes emocionale në të ardhmen.

Mos mendoni se gjërat që do të ndodhin do të jenë në kontrollin tuaj e aq më tepër se e dini sesi do të ndiheni në atë kohë. Për shembull, mund të premtoni se do ta respektoni gjithnjë partnerin/partneren tuaj, edhe kur jeni të nevrikosur. Ose mund të premtoni se nuk do të keni kurrë lidhje jashtëmartesore. Këto gjëra dhe shumë të tjera janë thelbësore për mirëqenien e marrëdhënieve afatgjata dhe janë nën kontrollin tuaj.

Por a mund të premtoni solemnisht se do ta doni partnerin tuaj jo vetëm nesër, por edhe 20 apo 50 vjet më vonë? Ka një pasaktësi në premtimin “derisa vdekja të na ndajë”, veçanërisht kur personat i mendojnë si të vërteta këto betime.

Realiteti tregon se njeriu nuk mund të parashikojë ndjenjat e veta në të ardhmen, pasi shumë gjëra varen nga ndodhitë e çastit dhe evoluimi i ndjesive ditë pas dite.

Top Channel