Të gjithë e kemi një sirtar, imagjinar apo të vërtetë, ku ruajmë fëmijërinë, të shkuarën tonë. Edhe Artenisa Ozaj e ka një të tillë, të mbushur plot me sende që kanë udhëtuar ndër vite, nga vegjëlia e saj deri sot, kur ajo është bërë 27 vjeç.

Keti, motra e saj më e madhe, tregon se të gjitha këto kujtime janë meritë e nënës së tyre, e cila i ka ruajtur me fanatizëm.

“Kemi shumë sende dhe kjo falë mamit që na i ka ruajtur dhe është kujdesur për to”, tregon Keti.

Artenisa nuk ka qenë mjaftueshëm e kujdesshme për fondin e lodrave të saj dhe atyre që ka trashëguar nga motra, ndaj të dyja habiten sesi kjo kukull u ka mbijetuar viteve. Por, ajo që ka arritur të shpëtohet ka vlerën e paçmuar të kujtimeve që motrat mbartin nga fëmijëria e tyre.

Një lodër e hershme, veshja e muajve të parë të jetës, paçka e parë e baletit… Mjaftojnë kaq pak sende për të ruajtur të freskët gjithë fëmijërinë në një sirtar.

Mes sendeve të fëmijërisë së Artenisës ruhet edhe fletorja e kujtimeve që dikur ka qenë traditë mes shoqesh, të cilat e dinin se një ditë do të ndaheshin. Dhe këtë ajo e ka kujtim prej klasës së dytë, kur iu desh të ndërronte shkollë: “Në klasë kam pasur edhe Evis Mulën. Janë kujtime të bukura.”

Të gjitha këto kujtime Artenisa mendon t’i nxjerrë një ditë nga sirtari për t’i kornizuar. Kështu, ajo do të ketë çfarë t’u tregojë pasardhësve dhe të kujtojë gjithmonë fëmijërinë e saj të lumtur: “Kur të bëhem me fëmijë do ja tregoj këto dhe do jenë shumë të bukura të gjitha këto që na i ka ruajtur mami.”

Top Channel