OKB: Siria rrezikohet nga thatësira

08/04/2014 00:00

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se thatësira në Siri mund të çojë në një rekord tepër të ulët të korrjes së grurit, duke vendosur para rrezikut miliona sirianë. Programi Botëror për Ushqimin (WFP) bëri të ditur se densiteti i reshjeve, që prej Shtatorit, ka qenë më pak se sa gjysma e mesatares afatgjatë apo vjetore.

Në të njëjtën kohë, ndihmat ushqimore të WFP-së janë ulur me 1/5-tën për shkak të mungesës së fondeve nga dhuruesit ndërkombëtarë. Mbi 100 mijë njerëz janë vrarë që prej nisjes së trazirave në Siri, më shumë se 3 vjet më parë.

“WFP është e shqetësuar në lidhje me impaktin që mund të ketë kanosja e thatësirës që ka goditur veri-perëndimin e vendit, kryesisht qytetet Aleppo, Idlib dhe Hama”, tha zëdhënësja e WFP-së, Elisabeth Byrs, për reporterët në Gjenevë. “Thatësira mund të vendosë në rrezik jetët e miliona njerëzve të tjerë në Siri”, shtoi më tej ajo.

Afro 6,5 milionë sirianë mund të kenë nevojë për ndihma urgjente ushqimore si pasojë e thatësirës, ndryshe nga shifra aktuale që varion diku te 4,2 milionë, theksoi Byrs. Siria mund të detyrohet të importojë më shumë se 5,1 milionë ton grurë, sasi që u është dashur gjatë vitit të fundit, thuhej në një raport të WFP-së.

Siria është goditur për herë të fundit nga thatësira në vitin 2008, 3 vjet përpara se të shpërthente lufta civile. Të hënën, WFP njoftoi se kishte shkurtuar sasinë e ndihmave të saj ushqimore për familjet siriane me 20%. Për këtë, u fajësuan vonesat në marrjen e fondeve nga donatorët ndërkombëtarë, teksa WFP tha se ka marrë vetëm 22% të fondeve të nevojshme për operacionet e saj në Siri.

Vetëm në muajin Mars, WFP ka ofruar ushqime për 4,1 milionë sirianë, një shifër rekord. Ndërkohë, media shtetërore siriane thotë se Irani ka dërguar rreth 30 mijë ton ndihma ushqimore për vendin.

Top Channel