Misteri i milionave të romëve

08/04/2014 00:00

Komuniteti rom ka protestuar në Ditën Ndërkombëtare për të drejtat që lidhen me shkollimin, strehimin, vaksinimin dhe diskriminimin e këtij komuniteti në vendin tonë.

Por, nga njëra anë ky komunitet protestonte, në anën tjetër ish-ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, pati deklaruar në gusht të vitit të kaluar se vetëm për këtë komunitet janë dhënë nga BE-ja rreth 3 milionë euro: “BE-ja është e përkushtuar në përfshirjen sociale dhe respektimin e të drejtave të komunitetit rom dhe atij egjiptian. Kemi investuar rreth 3 milionë euro për këtë.”

Ndërkohë që në emër të romëve investohen miliona euro, situata e tyre nuk ka ndryshuar aspak. Ata vazhdojnë të enden rrugëve, të paarsimuar, të pastrehë dhe të papunë. Nisur nga deklarata e ish-ambasadorit të BE-së, kureshtja e gazetarëve nxori në dritë dhe destinacionet e këtyre fondeve të cilat nëse do të kishin shkuar për romët ata nuk do të vazhdonin të ishin rrugëve pre’ e prostitucionit dhe e krimit.

Në përgjigje të kureshtjes së gazetarëve, zyra për shtyp pranë delegacionit europian në atë kohë u përpoq të shpjegonte se që nga viti 2008 janë realizuar 12 projekte të financuara nga programi CARDS (asistenca komunitare për rindërtim, zhvillim dhe stabilizim), IPA (instrumenti për aderim) dhe EIDHIR (instrumenti evropian për demokracinë dhe të drejtat e njeriut).

Përfituesit e fondive në vlerë 3 milionë euro kanë qenë kryesisht OJQ-të shqiptare dhe ndërkombëtare.  

Fondet që secila prej këtyre shoqatave ka përfituar shkon edhe në 150 mijë euro, të cilat, më shume se për interesa të romëve, kanë përfunduar një pjesë për qira të sallave të hoteleve ku mund të jetë zhvilluar ndonjë konferencë dhe pjesa tjetër në xhepat e drejtuesve të këtyre shoqatave.

Në këtë mënyrë janë shpërndarë 3 milionë euro, ku delegacioni i BE-së në bazë të raportimeve të bëra nga OJQ-të që kanë realizuar projektet, radhit disa arritje. Shumica e tyre nuk kanë as njësi matëse se çfarë është prodhuar në interes të komunitetit rom, projekte të tilla si rritje e ndërgjegjësimit të komunitetit rom për arsimimin, trafikimin dhe integrimin e tyre.

Por, me gjithë këto fonde e shumë më tepër se kaq, ky komunitet vazhdon të jetë po aq i paintegruar, po aq i papërfshirë në skemat e arsimimit dhe jetën sociale.

Top Channel