Pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Berlin është Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati që ka ndaluar kryeqytetin më të rëndësishëm të BE-së, vetëm pak përpara vendimit të qershorit për statusin e vendit kandidat.

Ai është pritur në takim zyrtar nga homologu gjerman, Frank-Ëalter Steinmeier. Dy ministrat biseduan mbi mënyrat e përforcimit dhe thellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, si në rrafshin dypalësh ashtu dhe në atë rajonal.

Ministri Bushati e informoi homologun gjerman mbi avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë dhe rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat. Ministri Steinmeier vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit, duke konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.

Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime me  përfaqësues të partive kryesore në komisionin e politikes së jashtme të parlamentit gjerman, me kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut, si dhe me këshilltarët për çështjet e sigurisë dhe ato europiane në zyrën e Kancelares gjermane, Angela Merkel.

Për më shumë mbi këtë vizitë dhe ndikimin  e mbështetjes së Gjermanisë edhe tek vendet e tjera në vendimin e qershorit për statusin e vendit kandidat, Ministri Bushati do të jetë i ftuar në revisten televizive të mbrëmjes në një intervistë me gazetarin Pandi Gjata.

Top Channel