Fëmijët aziatikë më të mirët në mësime

09/04/2014 00:00

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fëmijët me origjinë aziatike kanë pushtuar listat e më të mirëve në mësime.

Shumë janë përpjekur të kuptojnë arsyen. E para që tentoi të jepte një përgjigje ishte profesoresha e ‘Yale Laë School’, Amy Chua, komentet së cilës patën jehonë të jashtëzakonshme në mediat vendase dhe shkaktuan debate që vazhdojnë akoma dhe sot.

Në një shkrim të botuar nga ‘Wall Street Journal’ në 2011-ën, zonja Chua pretendonte se performancat akademike të nxënësve aziatiko-amerikanë, i detyrohen këmbënguljes së atyre që i cilëson  “nëna tigresha”: mama të përgatitura për t’ia nënshtruar fëmijën një disipline të hekurt mësimi, ashtu siç kishte bërë në fund të fundit, edhe ajo vetë me vajzat e saj, mjaft të suksesshme në shkollë.

Por një studim i ri, botuar nga dy pedagoge kaliforniane në revistën “Race and Social Problems” e hedh poshtë teorinë e Chua-së, me argumentin se burimet ekonomike të zonjës në fjalë dhe të bashkëshortit, edhe ai profesor në Universitetin e Yale-t, ishin arsyeja kryesore e ecurisë së mirë të fëmijëve të çiftit, bashkë me avantazhet socio-ekonomike dhe kulturore që sjell rritja në një ambient të tillë.

Profesoreshat e sociologjisë Min Zhou dhe Jennifer Lee të Universitetit të Kalifornisë, pretendojnë se mënyra më e mirë për të gjurmuar burimin e suksesit akademik te aziatikëve në Amerikë është të hidhet një vështrim tek familjet pa të ardhura të mëdha, por që serish arrijnë t’i arsimojnë mjaft mirë fëmijet e tyre.

Nga vëzhgimi i kësaj kategorie, u nxorën disa konkluzione tepër të vlefshme; ato tregojnë se të rinjtë aziatiko-amerikanë ndjekin modele të mirëpërcaktuara.

Komunitetet dhe familjet e tyre janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë kur nevojitet; edhe pse me burime të pakta financiare, të afërmit përpiqen të sistemohen në lagje me shkolla të forta.

Vetë fëmijët mësohen të aspirojnë suksesin me objektiva të qarta në mendje : synojnë mjekësinë, juridikun, inxhinierinë dhe farmacinë. Gjithmonë qëllimi final janë universitetet më të mira.

Nuk ka të bëjë pra as me detyrimin me të mësuar me zor e as me ndonjë dhunti misterioze etnike. E gjitha lidhjet me mënyrën sesi shohin përpara, me pritshmëritë e larta që kanë dhe standardet që vendosin; një mesatare prej 3,5 pikësh nga 4 që llogaritet është zhgënjyese për ta, dhe nuk humbin rastin për ta treguar.

Top Channel