Kundër rritjes së çmimit të energjisë

09/04/2014 00:00

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka përfshirë në rezolutën për Entin
Rregullator të Energjisë, një klauzolë, ku i kërkon këtij institucioni
të bllokojë çdo vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike gjatë
këtij viti. 

Propozimi erdhi nga Partia Demokratike, përmes ish-ministrit të Energjetikës Genc Ruli.

“Jemi në shifrat më të larta të humbjeve, jemi në nivelin 46-47 për qind sot dhe që Qeveria të ndërmarrë një rritje mbi çmimin, duhet patjetër t’i ketë dhënë një qetësi dhe garanci konsumatorit, kur të paktën humbjet të kenë vajtur në nivelin e 30 për qind”, tha Ruli.

Kundër rritjes së çmimit me këtë nivel të lartë humbjesh dhe mosarkëtimesh u deklarua edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

“Përderisa kryetari i ERE-s e tha që ne nuk ta bëjmë rritjen e çmimit të energjisë ne nuk na kushton që ta shkruajmë të zezë mbi të bardhë që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë dhe kjo rezolutë shërben vetëm për këtë vit. Më pas do të shohim dhe do të bëjmë. Nëse do të ulen humbjen dhe do të rriten të ardhurat, ne nisim dhe e shohim në një aspekt tjetër”, u shpreh Monika Kryemadhi, deputete e LSI-së.

Propozimi për të mos lejuar ndryshimin e çmimit këtë vit, më pas u përfshi nga kryetari i Komisionit Eduart Shalsi, në rezolutën për
Entin Rregullator.

“Ti kërkojmë ERE-s që të gjitha vendimet që mund të ndikojnë në çmimin e energjisë të mos merren pa u reduktuar ndjeshëm humbjet dhe pa u përmirësuar ndjeshëm arkëtimet”, tha Shalsi.

Kjo është hera e parë kur Kuvendi shprehet zyrtarisht kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike këtë vit duke i kërkuar Entit Rregulator që rishikimi i tarifave të merret në konsideratë vetëm pas uljes së vjedhjeve dhe rritjes së arkëtimeve.

Qeveria mohon rritjen e çmimit
Opozita ndjell panik pasi e la vendin të zhytur në krizë

Ministria e Energjitikës ka hedhur sërish poshtë deklaratat e fundit të opozitës, se në vend do të ketë rritje të çmimit të energjisë si rrjedhojë e marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Energjitikës ka nënvizuar për të disatën herë radhazi se, nuk ka asnjë kusht në marrëveshjen me FMN-në që sanksionon shtrenjtimin e çmimit të energjisë.

“Është e pafalshme për opozitën, që vetëm 6 muaj pas dorëzimit të detyrës, 8 vjet pasi e zhyti vendin në kaos dhe pasiguri energjitike, të tentojë të japë leksione dhe të mbjellë panik.

Pavarësisht menaxhimit të keq dhe korruptiv të energjitikës shqiptare nga qeveria e kaluar, pavarësisht situatës së thatësirës gjatë gjithë këtyre muajve të fundit, qeveria ka marrë të gjitha masat dhe ka punuar për të ofruar siguri të plotë në furnizimin me energji.

Dëshirojmë edhe njëherë të sigurojmë se buxheti për energjinë i çdo familjeje shqiptare nuk do të preket nga reformat e nevojshme në sektorin e energjisë”, thuhet në deklaratë. 

Top Channel