Nië keqbërës i rrezikshëm shqiptar, 27 vjeç, i njohur me pseudonimin “Titi” dhe me shenjën dalluese karakteristike një tatuazh në krahun e tij, është arrestuar në Qipro pas dy vjet kërkimesh nga autoritetet greke të rendit.

I shumëkërkuari bashkë me një bashkëpunëtor të tij që është arrestuar në 2013, thuhet se ka qëlluar me automatik dhe ka vrarë në qershor 2012 një 30-vjeçar gjatë një vjedhjeje në lagjen Zografou në Athinë.

Në deklaratën për shtyp të Drejtorisë së Policisë Greke thuhet: “Keqbërësi shqiptar u arrestua në Qipro, pas informacionit të policisë greke. Ai cilësohet veçanërisht i rrezikshëm, me veprimtari të shumta kriminale në Greqi”.

Ai konsiderohet gjithashtu se është kreu i një organizate kriminale e quajtur edhe si “banda e kallashnikovëve”, e përfshirë në një numër vjedhjesh, plaçkitjesh dhe grabitjesh me armë, në të cilat ushtrohej dhunë e ashpër kundër viktimave, ndërsa pjesëtarët e bandes, thuhet në njoftim, nuk hezitonin të qëllonin me kallashnikovë kundër forcave policore.

Sipas policisë greke, ata kanë kryer këto vepra penale: 17 vjedhje me armë në shtëpi; 18 vjedhje me armë në dyqane; 1 grabitje të armatosur në degën Zyrës së Postës greke; 3 plaçkitje të armatosura ndaj individëve; 6 vjedhje në shtëpi dhe dyqane; 17 vjedhje makinash.

Gjatë akteve të tyre kriminale, ata përdornin kryesisht kallashnikovë, pistoleta dhe granata. Në periudha të ndryshme kohore, gjatë të cilave keqbërësi shqiptar ka qenë i arrestuar për disa nga aktet e mësipërme, ka deklaruar për autoritetet policore emra të ndryshëm dhe datëlindje të ndryshme.

Top Channel