“Muza e zezë” e Elina Dunit

09/04/2014 00:00

“Muza do të thotë frymëzimi ynë dhe e zezë, sepse është në lidhje me natën, errësirën, misterin, me melankolinë që mund të sjellë nata”, është shprehur Elina Duni, kantautore.

“Muza e zezë” është titulli i albumit më të fundit të Elina Dunit, njëkohësisht dhe i koncertit që ajo do të zhvillojë mbrëmjet e së mërkurës dhe së enjtes, në Tiranë, pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës.

Repertori përmban 15 këngë dhe, për herë të parë, ajo paraqitet si kantautore.

“Deri tani, njerëzit më njohin më së shumti me gërshëtimet që bëj me folkun shqiptar dhe me jazz-in, kurse kjo është diçka vërtet e imja, që gjindet dhe që është shumë jazz gjithashtu, por është pak më Pop, më afër këngës, apo kantautore”, tha Elina Duni.

Në këtë koncert, të mbështetur mediatikisht nga Top Channel, do të ketë edhe të ftuar.

“Si pjesë e parë e koncertit do të jetë Vlashent Sata, i cili do të interpretojë këngët e tij, e më pas do të jem unë. Koncerti do të përmbajë të gjitha këngët e albumit, i cili është gjithashtu një urë lidhëse mes Prishtinës dhe Tiranës, pasi 3 muzikantë janë nga Prishtina dhe 3 nga Tirana”, përfundoi Elina Duni.

Top Channel