Qeveria: S’ka rritje të çmimit të energjisë

10/04/2014 00:00

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, njëkohësisht drejtues i Task Forcës
për Energjinë sqaron në një intervistë për Top Channel, se zgjidhja e
krizës financiare në sektorin energjetik, nuk do të kalojë nga rritja e
çmimit për konsumatorët.

“Qeveria shqiptare, Ministria e Energjisë, si ministri e linjës, asnjëherë nuk ka menduar se zgjidhja është rritja e çmimit të energjisë elektrike. Nuk e kemi menduar asnjëherë dhe nuk e kemi guxuar ta shqyrtojmë si alternativë, përsa kohë që ne kemi një rezervë shumë të madhe të fuqizimit financiar të CEZ-it, përmes reduktimit të humbjeve, qoftë teknike, qoftë edhe komerciale apo vjedhjeve, thënë shkoqur”, tha Peleshi.

Zëvendëskryeministri thotë se Qeveria është e vendosur në këtë pozicion dhe kjo konfirmohet nga vetë shifrat e tre muajve të fundit.

“Vetëm këtë tremujor janë arkëtuar, krahasuar me tremujorin e vitit të kaluar rreth 21-22 milionë dollarë më tepër. I kemi trashëguar me 48 për qind humbjet. Sot që po flasim janë reduktuar me 4.1- 4.2 për qind, pra jemi në kufijtë e 44 për qindëshit. Synojmë të shkojmë në tremujorin tjetër në 35 për qind”, tha Peleshi.

Të dhënat tregojnë se vetëm borxhet që konsumatorët kanë ndaj CEZ arrijnë në 1 miliardë dollarë. Këto janë detyrime të faturuara, pa përfshirë humbjet dhe vjedhjet që i marrin buxhetit të CEZ edhe 200 milionë dollarë të tjera në vit.

“Imagjinoni çfarë lloj rezerve kemi ne, ka CEZ nëpërmjet reduktimit të humbjeve të fuqizojë financat e veta”, tha Peleshi.

Veç ngritjes së task forcës, Qeveria ka lajmëruar një sërë masash të forta për ata që vjedhin energjinë, duke parashikuar dënim deri në 5 vjet burg. Por zëvendëskryeministri thotë se paralelisht, po punohet edhe në një tjetër drejtim.

“Nga njëra anë të vazhdojmë punën, nëpërmjet task forcë, nëpërmjet CEZ-it, por edhe nëpërmjet masave shtrënguese, për të cilat jam i bindur se do të bëjnë efektin e tyre dhe nga ana tjetër, për të nxitur CEZ-in dhe për të ftuar partnerët tanë ndërkombëtare, Banka Botërore, BERZH etj, të bashkëpunojnë me ne për një paketë investimesh që do ta kthejë CEZ-in në një kompani fitimprurëse”, tha Peleshi.

Kriza e thellë në sektorin energjetik sipas FMN-së dhe Bankës Botërore, jo vetëm që po pengon rritjen ekonomike, por është shndërruar dhe një nga rreziqet më të mëdha për qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Top Channel