Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve që t’i largojë nga regjistri zgjedhor 675 votues maqedonas nga Komuna Pustec e Shqipërisë, të cilët kanë kërkuar të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare në Maqedoni, duke votuar në ambasadën maqedonase në Tiranë.

“Që të gjithë këta votues nuk përmbushin kushtin ligjor për të marrë pjesë në zgjedhjet e 27 Prillit, e aq më pak për të votuar kandidatin për deputet të Europës. Këta qytetarë janë shtetas të Shqipërisë, me adresë vendbanimi po në Shqipëri, dhe që – për arsye të ndryshme – janë pajisur me nënshtetësi të Maqedonisë. Ata nuk konsiderohen as diasporë, as mërgimtarë me qëndrim të përkohshëm në vendet e huaja, dhe as banorë të Maqedonisë për të pasur mundësinë e votës”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Përfshirja e votuesve nga Pusteci në regjistrin zgjedhor në Maqedoni, sipas zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani, është bërë me qëllim që shqiptarët ta humbasin deputetin e diasporës.

“Lënia në regjistër e këtyre personave do të ishte në konflikt të hapur me përcaktimet për zgjedhje të rregullta dhe të ligjshme. Ne jemi të vetëdijshëm, megjithatë, se qëllimi është vetëm një: shqiptarët të humbasin deputetin e Europës. Kjo është një tentativë hileqare për të ndryshuar realitetin etnik të të mërguarve dhe për të dëmtuar deputetin shqiptar”, tha më tej Bujar Osmani.

Bashkimi Demokratik për Integrim i ka bërë thirrje partive, që kanë anëtarët e tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, dhe veçanërisht PDSH-së, që të mbështesin ankesën e BDI-së në KSHZ për t’u pamundësuar votuesve maqedonas nga Pusteci të përfshihen padrejtësisht në procesin zgjedhor në Maqedoni.

Top Channel