Është Ilir Butka, kryetari i ri i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Propozimet e tij, për mbarëvajtjen e QKK-së gjatë katër viteve të ardhshme, nisin nga krijimi i një strategjie për bashkëprodhimet.

Pa anashkaluar vendet e Europës Perëndimore, sipas z. Butka, një bashkëpunim i veçantë duhet të jetë ai me vendet e rajonit.

“Kemi shqetësime të përbashkëta, por kemi edhe mundësi më të mëdha. Duke u nisur nga karakteristikat njerëzore, gjeografike, qoftë edhe thjesht për faktin e shfrytëzimit të atyre mundësive financiare, që vendet e tjera para nesh i kanë pasur dhe madje edhe më të mëdha se sa ne. Duke integruar atë pjesë të minoritetit shqiptar, që ndodhet në vendet fqinje me ne, ne mund të gjejmë interesin e tyre për të nxitur bashkëprodhime të tjera. Kështu do të rritej një buxhet më i madh i përbashkët dhe do t’i paraqisnim një projekt më interesant ndoshta botës”, është shprehur Ilir Butka, kryetar i QKK-së.

Një tjetër hap do të jetë ai i krijimit të një politike për ndarjen e buxheteve: në një të tillë për kineastët me përvojë dhe një tjetër për të rinjtë. Jo vetëm financim për kineastët e rinj, por edhe krijim i një bordi artistik enkas për ta, i përbërë nga të rinj, për të përzgjedhur projektet për financim. Pra krijimi i një bordi tjetër, krahas atij për kineastët me përvojë.

“Kjo do të bënte të mos kishte një konflikt interesi, të mos kishte një përplasje mes interesave të të dy palëve”, theksoi Ilir Butka.

QKK do të bëjë edhe shpërndarjen e filmave në tregjet e huaja.

“Ne do të përpiqemi të krijojmë edhe një rrjet interesash, si me vendet e rajonit, ashtu dhe me vendet e tjera që kanë treguar interes për kinematografinë shqiptare deri më tani, për të promovuar maksimalisht një produkt shqiptar, i cili në nivel personal është thuajse i pamundur të promovohet”, vijoi më tej Ilir Butka.

Përpos promovimit të filmave, edhe ai i vetë Qendrës nëpër botë. Sipas z. Butka, një mënyrë kjo për të rritur besueshmërinë e saj dhe interesin e të huajve për bashkëprodhime.

Sa i përket buxhetit në dispozicion për kinemanë vendase në tërësi:

“Sigurisht që buxheti është i pamjaftueshëm, por përpara se të themi këtë duhet patjetër të bëjmë strategjinë: të shohim çfarë ekzigjencash kemi, çfarë duam të realizojmë dhe në bazë të kësaj emergjence ne krijojmë një preventiv, me të cilin i shkohet qeverisë për t’iu kërkuar rritja e buxhetit”, përfundoi Ilir Butka, kryetari i ri i QKK-së.

Top Channel