Renditja e FIFA-s, Shqipëria zbret e 70-ta

10/04/2014 00:00

FIFA ka publikuar renditjen e re të muajit Prill, ku Europa duket se ka zënë 3 vendet më të larta, pasi Portugalia është ngjitur pas shpinës së Spanjës e Gjermanisë, kryesues prej kohësh.

Andaluzianët ndiqen më pas nga 4 ekipe amerikano-jugore: Kolumbia e 4-ta, Uruguaji i 5-ti, si dhe rivalët e përhershëm Argjentina e Brazili, ku të parët kanë rënë 3 pozicione dhe të dytët janë ngjitur me 3 pozicione. Latinët mes tyre diferencohen me vetëm 12 pikë nga njëri-tjetri.

Greqia rikthehet në “Top 10” për herë të parë që prej Tetorit 2012, ndërsa Skocia është e vetmja kombëtare që është ngjitur me mbi 10 vende, duke u renditur e 22-ta. Dy janë kombëtaret që kanë shënuar rekord për pozicionet më të larta të marra ndonjëherë: Azerbajxhani i 85-ti dhe Afganistani i 122-ti.

Ndryshe nga to, janë disa ekipe që kanë rënë me mbi 10 vende, ku bën pjesë edhe kombëtarja kuqezi: Shqipëria kap kështu vendin e 70 duke zbritur me 16 pozicione nga muaji i kaluar, Izraeli gjendet i 78-ti, me 13 vende më poshtë, Zelanda e Re 111, Liberia 119, Republika Domenikane 126, Taxhikistani 133 e kështu me radhë.

Renditja e re ka marrë parasysh vetëm zhvillimin e 6 ndeshjeve përgjatë muajit të kaluar.

Top Channel