Me 45 vota pro, 10 kundër dhe 8 abstenime është miratuar plotësim-ndryshimi i Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili e kalon kompaninë minerare të Trepçës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në pronësi të shtetit të Kosovës.

Plotësimet dhe ndryshimet në pr/ligj i prezantoi ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, i cili ftoi deputetët që ta votonin atë, pasi mundëson që çdo ndërmarrje që kalon nga privati tek shteti të ketë zhvillim më të madh.

Në emër të PDK-së, deputetja Sala Berisha-Shala tha se çështjet kryesore të trajtuara nëkëtë projektligj kishin të bënin me krijimin e bazës juridike, që me vendim të Kuvendit të Kosovës të hiqen nga kompetenca e AKP-së ndërmarrje të caktuara shoqërore dhe të regjistrohen si ndërmarrje publike në pronësi të Republikës se Kosovës.

Ndërsa deputeti Lutfi Zharku, nga radhët e LDK-së, tha se tek ligji kishte një keqinterpretim, pasi ai nuk ishte sjellë me asnjë dispozitë që e përcaktonte se ky është ligj për Trepçën.

Në emër të Vetëvendosjes, deputeti Faton Topalli tha se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të krijojë asnjë mundësi ligjore, që çfarëdo qeverie të ketë mundësi të abuzojë me Trepçën, duke e shitur pjesërisht apo tërësisht atë.

Deputetët në lexim të dytë kanë miratuar edhe projektligjin për sigurimet shëndetësore në Kosovë. Ndërsa, nuk është miratuar raporti i Komisionit për Arsim, për mbikëqyrjen e e zbatimit të ligjit për arsimin e lartë në Kosovë.

Top Channel