Dita e premte ka shënuar fundin e fushatës elektorale për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni.

Në një miting në Bogovinë të Tetovës, një natë më parë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se asnjëri nga katër kandidatët presidencialë nuk është konsensual dhe nuk meriton votën e shqiptarëve më 13 Prill.

“Më 13 Prill do të shkoni bashkë në piknik, sepse nuk është zgjidhja jonë. Ne kemi ofruar zgjidhje dhe për atë zgjidhje do të punojmë deri në realizimin e plotë. Projektet e mëdha duan kohë dhe energji”, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër, kandidati i vetëm shqiptar, që merr pjesë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, Iljaz Halimi, tha se vota për të faktorizon shqiptarët dhe bëri thirrje për dalje masive.

“Kam pranuar që t’i futem kësaj gare, vetëm në interes të popullit shqiptar, që ne të faktorizohemi dhe të jemi vendimmarrës në zgjedhjen e kryetarit të shtetit”, tha Iljaz Halimi, kandidati presidencial i PDSH-së.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, pret mbështetje të madhe nga shqiptarët më 13 Prill, për Iljaz Halimin, ndërsa u shpreh i bindur se partia e tij do të shënojë fitore ndaj BDI-së së Ali Ahmetit, në zgjedhjet parlamentare të 27 Prillit.

“Frikësimi i tyre duket hapur. Ne do të punojmë bashkarisht, që të mos frikësohen njerëzit, të cilët deri tani kanë votuar për ata. Nuk do të ndodhë asgjë e rëndë, tmerruese, as urgan, do të ndodhë vetëm rënia e BDI-së prej pushtetit”, theksoi Menduh Thaçi.

Edhe kandidatët maqedonas kanë bërë thirrje për dalje masive në zgjedhjet e 13 Prillit. Heshtja zgjedhore zgjat deri të dielën në mbrëmje, kur do të mbyllen kutitë e votimit. Për shkak të heshtjes zgjedhore për Presidencialet, të shtunën dhe të dielën do të ndërpritet edhe fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 Prillit.

Top Channel