Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, shpalosi të premten programin për zhvillimin ekonomik para përfaqësueve të biznesit. Në konferencën për mediat pas takimit, Isa Mustafa tha se LDK nuk do të aplikojë politika partiake.

“Shprehëm qëndrimin e qartë ndaj tyre se ne nuk do të aplikojmë politika partiake karshi bizneseve, por politikat ndaj tyre do të jenë politika të drejta, të cilat do të bazohen në ligje, dhe që do të nxisin jo vetëm bizneset e brendshme, por edhe investimet e huaja direkte që do të tërheqim në Kosovë, në mënyrë që arrijmë objektivat tona themelore, që kanë të bëjnë me zhvillimin më të shpejtë ekonomik, me uljen e papunësisë dhe me uljen e varfërisë në Kosovë”, u shpreh Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.

Kreu i LDK-së ka shtuar se ata janë orientuar në katër pika themelore në programin e tyre qeverisës: zhvillimi ekonomik, reforma thelbësore në arsim dhe shëndetësi, formimi i shtetit ligjor dhe themelimi i fondit zhvillimor.

Udhëheqësi i Këshillit të ekspertëve për Ekonominë në LDK, Avdullah Hoti, tha se programin e tyre e kanë orientuar në sektorin privat. Ndërkohë, përfaqësuesit e bizneseve që ishin të pranishëm dhanë sugjerime e propozime, se çfarë u duhet bizneseve në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik.

Top Channel