Fleckenstein: Luftoni korrupsionin

12/04/2014 00:00

Në mënyrë të vazhdueshme nga ndërkombëtarët mbërrin sinjali i qartë se korrupsioni në Shqipëri mbetet në qendër të vëmendjes, e se lufta ndaj këtij fenomeni gërryes të shoqërisë duhet të jetë prioritet i padiskutueshëm për qeverinë.

Zëri i fundit që i mëshon nevojës për të frenuar korrupsionin në vendin tonë bëhet eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, anëtar i PE-së për Shqipërinë dhe Kosovën.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Fleckenstein përshëndet kursin e vendosur nga qeveria socialiste për integrimin europian, por thekson se për një sukses afatgjatë të reformave, Shqipërisë i nevojitet një bashkëpunim i mirë mes shtetit dhe shoqërisë. Kjo përfshin bashkëpunimin e duhur mes qeverisë dhe opozitës, si dhe një administratë efikase e të kualifikuar.

Zvarritjen e dhënies së statusit kandidat, ai e sheh me keqardhje, e thotë se ‘personalisht mendoj që si përgjegjësit politikë ashtu dhe populli në Shqipëri janë në gjendje për të realizuar me të gjitha energjitë reformat e ardhshme politike dhe ekonomike’, por ka dhe një këshillë: mosdhënia ende e statusit të vendit kandidat nuk duhet të jetë arsye për të mos vazhduar deri në fund zbatimin e reformave të tilla të rëndësishme në vend e në sytë e BE-së, frenimi i korrupsionit, zë vend kyç.

“Lufta ndaj korrupsionit është detyrim i rëndësishëm i politikës shqiptare për popullin e vet. Kjo nuk duhet kuptuar si një listë e sajuar me detyra që të kënaqin institucionet e BE-së. Përkundrazi, më saktë kjo ka të bëjë me vetëdijen që duhet të arrijë kjo nismë në opinionin shqiptar dhe në atë që të sanksionohet ligjërisht se korrupsioni, veçanërisht në institucionet shtetërore, në arsim si dhe në sektorin e shëndetësisë, është një vepër penale. Pra një krim që dëmton shtetin dhe gjithë shoqërinë shqiptare”, tha Fleckenstein, anëtar i PE-së për Shqipërinë.

Tani, shton eurodeputeti gjerman ka një numër institucionesh dhe OJQ që merren me luftën kundër këtij fenomeni, dhe sytë e zëri i tyre janë shumë të rëndësishëm për qeverinë shqiptare kur vjen puna për të vlerësuar se sa e suksesshme është politika e saj antikorrupsion.

Top Channel