Niveli i varfërisë së BB, jo real

12/04/2014 00:00

Studime të reja tregojnë se shifrat e nivelit global të varfërisë, që janë përllogaritur mbi përkufizimin e Bankës Botërore se një person me të ardhura më të ulëta se 1.25 dollarë në ditë jeton në varfëri, mund të mos pasqyrojnë nivelin real të problemit.

Shifrat e këtij organizmi përdoren gjerësisht dhe luajnë një rol të rëndësishëm në strategjitë globale kundër varfërisë. Por “Zëri i Amerikës” citon kritikët të argumentojnë se shuma prej 1.25 dollarësh në ditë është arbitrare dhe nuk merr parasysh mjaft nevoja bazë të njeriut.

Studiuesit në Universitetin e Bristolit analizuan nevojat për kushte higjeno-sanitare, strehim, ujë, ushqim, kujdes shëndetësor dhe arsim për banorët e ishullit Vanuatu, një zonë kryesisht rurale.

Ata e konsiderojnë nivelin e varfërisë që ka vendosur Banka Botërore si shumë optimist krahasuar me nevojat reale që evidentuan. Sipas studimit, në bazë të standardit të Bankës Botërore 5% e fëmijëve në Vanuatu jetojnë në varfëri.

Por në bazë të standardeve kombëtare për ushqim dhe nevoja bazë, 17% e fëmijëve në këtë ishull konsiderohen në nivelin e varfërisë. Varfëria absolute, ku njerëzve u mungojnë dy apo më shumë prej faktorëve jetikë, prek 16% të fëmijëve në ishull, sipas studimit të publikuar në revistën “Journal of Sociology”.

Studimi i ri hedh dyshime mbi standardin e Bankës Botërore për përkufizimin e varfërisë, që përdoret për të analizuar përparimin e vendeve në përmbushjen e Sfidave të Mijëvjeçarit për Zhvillim, si përpjekjet për të eliminuar urinë brenda vitit 2015, si dhe për të përgjysmuar numrin e personave në skamje ekstreme.

Top Channel