“Më e keqja për ekonominë ka mbaruar”

13/04/2014 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, deklaron se rritja e vlerësimit nga Standard and Poor’s dëshmon se ekonomia shqiptare ka ndalur përfundimisht rënien e nisur tre vjet më parë.

“Të gjitha ato reforma strukturore që kanë firmën dhe autorësinë e qeverisë shqiptare, ne jemi të bindur që shumë shpejt do të kalojmë në një vlerësim akoma më pozitiv, në bazë të gjithë parametrave që parashtrohen edhe në deklaratën e kompanisë. Më e keqja për ekonominë shqiptare ka mbaruar. Ajo që vjen është pozitive, vetëm rritje ekonomike”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Dy ditë më parë gjiganti ndërkombëtar i “Rating”-ut, përmirësoi vlerësimin e borxhit publik të Shqipërisë, nga B negativ në B +. Zoti Ahmetaj thotë se kjo rrit pritshmëritë për më shumë investime nga kompanitë e huaja.

“Një vlerësimin i tillë nga një kompani tejet prestigjioze, siç është Standard and Poor’s, rikthen besimin tek investitorët e huaj, rikthen mbi të gjitha vëmendjen e kompanive të mëdha në Europë, të cilat janë duke parë mundësitë për t’u zgjeruar përtej kufijve nacionalë apo aktualë, dhe e bëjnë Shqipërinë një vend atraktiv”, theksoi më tej ministri Arben Ahmetaj.

Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, qeveria është e angazhuar të konsolidojë financat e shtetit dhe të rikthejë borxhin publik nën kontroll.

Top Channel