Mjekët e familjes i rekomandojnë antibiotikët edhe në rastet kur nuk duhen dhënë, ndonëse në botë është dhënë alarmi në lidhje me rezistencën e tyre.

Mjekët shqiptarë i bien shkurt, duke dhënë antibiotikë edhe për një ulje temperature te pacientët, pa llogaritur rastet kur e rekomandojnë atë gabim, si në infeksionet virale, të cilat nuk luftohen me antibiotikë, apo përdorin antibiotikun më të fortë në dozën dhe frekuencën kohore të gabuar, kur në një infeksion bakterial mund të përdorej një antibiotik tjetër më i lehtë.

“Ka një spekulim me përdorimin e ekzagjeruar të antibiotikëve, pra përshkrimi i tyre në ato raste që nuk duhen përshkruar, si në infeksionet virale, apo përshkrimi i një antibiotiku që nuk duhet përdorur, i cili shërben për një sëmundje më të rëndë apo për përdorim të kushteve spitalore, përdorimi në periudha të shkurtra kohore jo në dozën e duhur, apo intervalin e duhur kohor, pasi duke qenë se ofrohen në kushte ambulatore nuk mundësohet dot marrja parenteriale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Nga ana e mjekëve, mundësisht të përdoren sa më pak antibiotikë në ato raste kur nuk duhen përdorur, ndërsa në ato raste kur duhet të zgjedhim antibiotikun më praktik, më të lehtë”, u shpreh Prof. Dr. Gjeorxhina Kuli, mjeke pediatre.

Por, mjekët shpesh nuk ndjekin as protokollet e duhura në dhënien e antibiotikut, duke bërë që dhënia pa kriter e tyre të krijojë rezistencë në organizmin e pacientit dhe t’i lërë ata të pambrojtur ndaj baktereve të ndryshme.

E patolerueshme është dhënia e një antibiotiku injeksion, sepse të tillë e kërkojnë pacientët për një kurim më të shpejtë.

“Keqpërdorimi është një problem kudo në botë, jo vetëm në Shqipëri, por te ne është më shumë e shprehur, sepse kemi një kulturë të keqe të përdorimit të antibiotikëve. Në përgjithësi, pacientët tanë kërkojnë injeksione, i cili është një gabim, pasi një i sëmurë ambulator nuk ka përse të trajtohet me antibiotikë të injektueshëm, por duhet t’i marrë ato nga goja. Përveç kësaj është edhe problemi ligjor. Ne duhet të zbatojmë rregullat e përdorimit të antibiotikëve. Kjo i takon shoqatave përkatëse, të cilat në njëfarë mase i kanë protokollet e përdorimit të antibiotikëve në mënyrë korrekte, por që fatkeqësisht nuk zbatohen”, deklaroi Prof. Dr. Hasan Hafizi, mjek pneumolog.

Antibiotiku nëpër farmaci, në vendin tonë jepet njësoj si aspirina, e cila nuk kërkon recetë. Madje, shpesh herë, vetë farmacisti ta rekomandon atë për ulje temperature, ose e këmben antibiotikun e përshkruar në recetë me një tjetër që – sipas tij – është edhe më i fortë.

Top Channel