Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni e kanë ndarë elektoratin shqiptar. Për shkak të thirrjes së BDI-së për bojkot, një pjesë e elektoratit shqiptar nuk po merr pjesë në zgjedhje. Kjo ka bërë që, në disa vendbanime shqiptare, deri në mesditë dalja të jetë tejet e ulët.

“Do të bojkotoj, pra nuk do të votoj sot, sepse presidentët e kaluar janë zgjedhur pa vullnetin e shqiptarëve dhe asgjë nuk kanë bërë për shqiptarët”, tha Bilgin Hajredini, qytetar shqiptar i Maqedonisë.

“Jam 18-vjeçar dhe nuk e shfrytëzoj të drejtën e votës në këto zgjedhje, sepse vota ime nuk do të shkonte në favorin e shqiptarëve”, tha Armend Ademi, një tjetër qytetar.

Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë që marrin pjesë në zgjedhje thonë se dalin në votime për të mbështetur kandidatin e vetëm shqiptar në këto presidenciale, z. Iljaz Halimi.

“E shfrytëzova të drejtën time si qytetar, votova për një kandidat shqiptar, që t’i artikulojë të drejtat tona në mënyrë demokratike”, tha Adbyl Berisha, votues në Maqedoni.

“Presim një të ardhme më të mirë. Në këto zgjedhje është një kandidat shqiptar, pse të mos votojmë për të?”, deklaroi Idajet Miftari, një tjetër qytetar.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, procesi i votimit ka vijuar pa probleme që nga hapja e kutive. Pjesëmarrja më e lartë në votime është shënuar në komunat me shumicë maqedonase.

Top Channel