Rreth 130 kg eksploziv, e llojit C4, kanë shembur plotësisht një hotel 5-katësh në Dhërmi. Ashtu siç ishte paralajmëruar INUK ka shembur në orën 15:00, përmes shpërthimit të kontrolluar, hotelin 5-katësh që ishte ndërtuar në brezin e parë të rërës.

Dhjetëra kureshtarë ndoqën nga larg momentin e hedhjes në erë të hotelit të njohur në Dhërmi. Një re e madhe pluhuri mbuloi zonën ku u shemb hoteli. Nga të dhënat paraprake nuk ka pasur asnjë dëmtim tjetër. Policia dhe INUK nuk kanë lejuar asnjë person të afrohet brenda perimetrit të përcaktuar.

Nga kati i 2-të ka mbetur pa u shembur vetëm një pjesë e vogël me material gipsi, ku nuk ishte vendosur eksploziv. Fadroma ka nisur punën për pastrimin e rrënojave.

Kreu i INUK-ut, Zyhdi Dajti, ishte në krye të operacionit, i shoqëruar nga forcat xheniere të ushtrisë. INUK pretendon se objekti ishte pa leje dhe pa dokumente pronësie.

Ky nuk është rasti i parë i objekteve që prishen me shpërthim të komanduar nga INUK, më herët janë prishur ndërtime në Tiranë, Vlorë e Mallakastër, me të njëjtën mënyrë, atë të vendosjes së eksplozivit.
INUK ka shembur këtë të diel edhe 5 objekte të tjera pa leje në Dhërmi duke përdorur mjetet e rënda. 

Top Channel