Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi vlerëson se për shkak të bojkotit të BDI-së vota shqiptare nuk ka qenë e fshehtë. Sipas tij është shkelur një nga parimet themelore të demokracisë.

Thaçi akuzoi BDI-në se ka ushtruar presion ndaj qytetarëve shqiptarë për të mos dalë në votime.

“Kemi informacione për tensione të ndryshme në disa zona të Shkupit, ku bëhet presion ndaj votuesve. Ne jemi realisht në një pozicion shumë të vështirë si PDSH, se bojkotimi i BDI e bënë të hapur votën e shqiptarëve. Këtu nuk respektohet parimi themelor i demokracisë. Megjithatë kam shpresa se në mbrëmje do të dal një rezultat pozitiv”, tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Edhe kandidati i PDSH-së, Iljaz Halimi u ankua për presionin ndaj votuesve shqiptarë.

“Ka forma të ndryshme të frikësimit dhe të kushtëzimit për vende pune”, deklaroi Halimi.

Kandidati presidencial i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov dhe ai i LSDM-së Stevo Pendarovski, pasi realizuan të drejtën e votës thanë se zgjedhjet presidenciale janë një test i rëndësishëm për demokracinë në Maqedoni.

“Ky cikël zgjedhor duhet të jetë i suksesshëm për të dëshmuar se në Maqedoni funksionon demokracia. Pas zgjedhjeve pres të realizoj qëllimet dhe të punoj për përparimin e vendit dhe të qytetarëve”, tha Ivanov.

Shpresoj që sot të mos na paraqiten parregullsitë e ditës së shtunë, ku votoi diaspora. Sinqerisht mendoi që Maqedonia mund të zhvilloi një cikël zgjedhor si të gjitha vendet demokratike”, u shpreh Pendarovski.

Sipas të dhënave të policisë dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nuk janë regjistruar parregullsi serioze që do të ndikonin në prishjen e procesit zgjedhor.

Top Channel