Në vazhdim të vizitës zyrtare në Tokio, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u prit në një takim nga homologu i tij, Shinzo Abe.

Zoti Abe që në fillim falënderoi kryeministrin Thaçi për vizitën, pasi sipas tij tregon rëndësinë që Japonia i kushton Kosovës, edhe pse një shtet i ri, por me rol të rëndësishëm për paqen në Ballkan.

Kryeministri Abe theksoi tri pika të rëndësishme të marrëdhënieve me Kosovën: forcimin e marrëdhënieve bilaterale në fusha të ndryshme, në të cilat nuk do të mungojë kontributi i Japonisë; aspektet e sigurisë në rajon; dhe përkrahjen për përpjekjet e Kosovës për integrimet evropiane.

Në vazhdim të bisedimeve kryeministri Thaçi foli për kushtet dhe lehtësitë që krijon Kosova për investitorët e jashtëm, sidomos në fushën e energjetikës, minierave dhe në agrikulturë.

Ai e njoftoi kryeministrin japonez edhe me rezultatet e arritura në Bruksel, në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbinë.

Në këtë drejtim, kryeministri Abe shprehu konsideratë të lartë për qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe të vetë kryeministrit Thaçi për marrëveshjen e Brukselit.

Kryeministri Thaçi e njoftoi homologun e tij se së shpejti do të themelojë grupin parlamentar për Japoninë, që ka për qëllim promovimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve.

Top Channel