Jacobson: Luftoni xhihadizmin

14/04/2014 00:00

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson i bëri thirrje të gjitha institucioneve që të reagojnë ndaj fenomenit të përfshirjes së kosovarëve në luftën në Siri.

Në një intervistë për “REL”, ajo foli edhe për gjuhën e urrejtjes që përdorin disa imamë në xhamitë e Kosovës, gjuhë që sipas saj nuk ka vend në një demokraci.

“Mendoj se kjo është diçka për të cilën duhet të brengosemi të gjithë. Lufta në Siri është gjë e tmerrshme dhe po vazhdon prej një kohe të gjatë. Por po ashtu, këtu në Kosovë jemi të shqetësuar për shkak të kosovarëve të rinj që shkojnë për të luftuar në Siri, duke u radhitur me grupe radikale dhe duke zhvilluar atë lloj ideologjie”, tha Jacobson.

“Dhe çfarë ndodh pastaj? E pamë sulmin mbi tre pjesëtarët e xhandarmërisë në Turqi, të cilët u vranë nga një luftëtar në kthim e sipër. E pamë sulmin vetëvrasës me bombë në Irak, i cili u krye nga një kosovar që kishte qenë në Siri. Pra, kjo gjë është shumë brengosëse dhe të gjithë duhet të reagojmë ndaj kësaj çështjeje, si bashkësi ndërkombëtare së bashku me Kosovën, sepse qartazi ky nuk është problem vetëm i Kosovës, por është problem i tërë botës”, vijoi ambasadorja.

Jacobson shfaqi shpresën se shumica e popullit të Kosovës që përkrah shtetin laik, shumëllojshmërinë fetare, respektin e dyanshëm, do ta ngrejë zërin dhe pastaj ky zë do të jenë ai që do ta tërheqë në rrugën drejt së ardhmes.

Top Channel