Katër gardianë të burgut të Nigritës, që deponuan të hënën në hetuesi për çështjen e vrasjes nga torturat të të burgosurit shqiptar Ilia Kareli, janë lënë të lirë me kusht deri në gjyq.

Lirimi është mundësuar pas vendimit të përbashkët që kanë marrë hetuesja dhe prokurori i çështjes. Në këto kushte përfshihet ndalimi i tyre jashtë Greqisë dhe paraqitja një herë në muaj në rajonin përkatës të policisë.

Gjithësej ishin 15 gardianët e akuzuar që kishin sot ditën e deponimeve. Ata kanë dëshmuar në gjykatën e qytetit të Serrës, 80 kilometra në verilindje të Selanikut.

Nesër dëshmojnë dy të akuzuarit e fundit, ndërsa pritet edhe dëshmia e njërit prej rojeve që ka deklaruar se në momentin që Ilia Kareli është sjellë në burg ai ka lënë turnin.

Deri tani nuk ka një thirrje në hetuesi për drejtorin e këtij institucioni i cili shfaqet në të dy videot e publikuara nga mediat greke vetëm disa metra larg qelisë ku torturohej barbarisht i burgosuri shqiptar.

Gjithësej deri tani gjashtë gardianë janë burgosur për këtë çështje që ka shkaktuar reagime të mëdha dhe gjashtë të tjerë janë lënë të lirë me kusht deri në zhvillimin e gjyqit.

Top Channel