Vetëm pesë javë para zgjedhjeve lokale në Greqi dhe ato për PE, partia më e madhe opozitare në vend “Syriza” ka deklaruar se, në grupin e kandidatëve për këshilltarë të prefekturës së Atikës, përkrah një prej liderëve më të fuqishëm të saj, zonjës Rena Dhurou, do të jetë edhe aktori dhe regjisori tashmë i mirënjohur në Greqi dhe Shqipëri, Laert Vasili.

Në një intervistë për Top Channel, i pyetur se përse ka vendosur të hyjë në aktivitetin politik dhe shoqëror në këtë moment të vështirë për Greqinë, ai përgjigjet.

“Zgjodha t’i bashkohem Rena Dhurou-t për qarkun e Atikës, sepse Syriza është një lëvizje, më tepër se sa një parti, një lëvizje e majtë që gjatë gjithë këtyre 20 viteve që unë jetoj e punoj në Athinë, që ka qenë shumë pranë meje, apo më mirë të them shumë pranë emigrantëve. Është e vetmja lëvizje apo parti që ka mbrojtur të drejtat e emigrantëve dhe, duke pasur këtë mbështetje, vendosa dhe unë të bëhem pjesë e kësaj lëvizjeje. Besoj se, nëse ka probleme në këtë moment, të cilat janë të shumta në qarkun e Atikës, këto probleme janë vet partitë që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre 20 viteve”, u shpreh Laert Vasili, aktor dhe regjisor.

Me një biografi të pasur artistike për moshën, Vasili, që i ka sjellë Greqisë dy çmime nga festivalet ndërkombëtare të teatrit, me shfaqjet “Emigrantët” dhe “Një në dhjetë vetë”, ka qenë gjithnjë në epiqendër të lëvizjeve, që përkrahin barazinë sociale, që luftojnë fenomenet e racizmit.

I lindur në Delvinë, nga baba shqiptar dhe nënë minoritare greke, ai e quan detyrim të luftojë për të drejtat e qytetarëve të tjerë, kundër burokracisë, kundër padrejtësive.

Përveç shpalljes së tij si aktori i vitit në 2008, në Greqi, apo një nga dhjetë kandidatët për njeriun e vitit nga revista “Lifo” në 2012-n, ngjarja më e diskutueshme që lidhet me reputacionin e tij artistik, si dhe me bindjet e tij politike, është padyshim vënia në skenë nga ai e shfaqjes “Corpus Christi”, që është kundërshtuar dhe ndaluar dy herë nga grupe parakishtare dhe përkrahës të Agimit të Artë, të cilët madje e kanë kërcënuar edhe me jetë artistin e njohur.

Në rrjetin social Facebook, ku mund të gjesh dhjetëra fotografi nga shfaqje teatrale si “Emigrantët”, me aktorët e njohur shqiptarë, Nikolla Llambro dhe Karafil Shena, apo disa role të tij në celuloid, si ai në filmin e fundit të Bert Budinës, “Agon”, shumëkush mund të shohë përkrahjen që i bëhet këtij artisti për rrugën e re që ka zgjedhur, jo vetëm nga emigrantët shqiptarë në Greqi dhe homogjenët, por edhe nga qytetarët grekë.

Sipas shumë shkrimeve në shtypin vendas, shpallja e kandidaturës së tij përkrah zonjës Dhourou, nuk është një lëvizje e rastit nga ana e udhëheqjes së partisë opozitare “Syriza”, që pretendon të qeverisë vendin në vitet e ardhshme, por një lëvizje e menduar për shkak të ndikimit potencial, politik, shoqëror dhe artistik të tij.

Top Channel