Europa “e plakur”, alarm për pensionet

14/04/2014 00:00

Baza kontribuese në sistemet e pensionit në Europë është në rënie. Studiuesit po llogarisin se si mund të forcohen sistemet sociale në Europë, por propozimet e tyre nuk janë të lehta të zbatohen.

Mbi 20 vende të BE-së kanë vënë nën lupë studiuesit dhe, ashtu siç ndodh shumë shpesh, Suedia është në krye. Këtë herë bëhet fjalë për plakjen e shoqërisë dhe duket se vendi skandinav e ka atë shumë mirë nën kontroll.

“Kjo lidhet me një politikë shumë të mirë të tregut të punës, me një papunësi shumë të ulët. Por, lidhet edhe me sjelljen me të moshuarit. Në Suedi, të moshuarit janë të lidhur shumë mirë në jetën e punës, dhe kjo është, me siguri, një nga sfidat më të mëdha të vendeve të BE-së”, thotë Michael Brauninger, nga Instituti për Ekonominë Botërore, në Hamburg.

Shtetet e tjera europiane, si Gjermania dhe Italia, aktualisht ndodhen përpara një pragu: brezat me lindje të larta në vitet 1960 po shkojnë drejt pensionit dhe pensionet e tyre duhet të financohen nga brezat më të rinj, me nivel lindshmërie shumë më të ulët.

Kryesisht në vendet në lindje të BE-së, Brauninger sheh megjithatë vështirësi të mëdha në të ardhmen. Ato kanë ende edhe ca kohë, deri sa të përballen masivisht me problemin e plakjes së shoqërisë. Nëse duan të marrin masa në kohë për përballimin e tij, duhet të pengojnë largimin e krahut të ri të punës, dhe veçanërisht produktiv.

Sa më e madhe të jetë pjesa e popullsisë aktive, e cila duhet të derdhë kontribute në arkat ligjore të pensioneve, aq më i fortë është sistemi social i një vendi, – ky është argumenti qendror i studimit të publikuar së fundi.

Në Gjermani, në vitin 2006 u vendos që mosha e pensionit të rritej hap pas hapi deri në 67 vjeç, por qeveria aktuale planifikon që punëmarrësit të mund të dalin që në moshën 63 vjeç në pension, nëse kanë derdhur kontribute për 45 vjet radhazi.

Top Channel