Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës Gjykata e Tiranës pezulloi nga detyra Drejtorin e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Izet Duraku.

Për një tjetër specialist pranë kësaj drejtorie, Meliha Ramaliun, gjykata do të shprehet të mërkurën për shkak se ajo kërkoi të përfaqësohej nga një avokat mbrojtës.

Prokuroria dyshon se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore në Tiranë kanë shkelur ligjin për faktin se shumë objekte të vjedhura janë çertifikuar në mënyrë të paligjshme nga kjo qendër. Mes tyre, thotë prokuroria, është ikonostasi i dorëzuar nga koleksionisti Gjergji Thimio, që është  çertifikuar nga Meliha Ramaliu dhe firmosur nga drejtori Duraku.

Historiku i këtij objekti është i tillë: ai është blerë në vitin 1997 në Korçë për t’u trafikuar në Greqi nga disa pesona nga Gjiroksatra. Po kështu edhe ikona ‘Krishti Pantokrator’ i dorëzuar nga shtetasi Gjergji Thimo është çertifikuar nga Meliha  Ramaliu dhe firmosur nga drejtori Izet Duraku.

Sipas prokurorisë kjo ikonë është blerë nga disa persona që do ta trafikonin në Itali dhe pastaj në Greqi. Të njëjtin fat kanë edhe ikona të tjera. Ndërkohë që veprimet e punonjësve të dyshuar kanë sjellë pasoja të rënda, thotë prokuroria, pasi një pjesë e këtyre objekteve të çertifikuara nuk ekzistojnë më, por janë shitur.

Numri i tyre që kanë rëndësi kombëtare është 78 të cilat janë çertifikuar nën pronësi të Gjergji Thimos por nuk dihet asgjë se ku ndodhen tashmë.

Top Channel