Me një financim të Bankës Botërore, kompania “CEZ Shpërndarje” parashikon të investojë në përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji elektrike, në zonat më problematike të Tiranës: Paskuqan, Babrru dhe Bathore.

Rreth 13 mijë abonentë të këtyre zonave do të përfitojnë nga projekti i rrjetit të ri kabllor të tensionit të mesëm dhe të lartë, që – krahas standardeve në furnizimin me energji – pritet të ulë humbjet dhe të reduktojë vjedhjet e energjisë.

“Konsiston në ndërtimin e 70 km linjë të tensionit të mesëm 20 kV, në ndërtimin e 20 kabinave të transformimit 20-04 dhe në ndërtimin e 100 km kabëll të tensionit të ulët me përcjellës ABC”, tha Elton Kristo, drejtor i Studimeve dhe Projekteve, “CEZ Shpërndarje”.

Hartuesit e projektit thonë se pas përfundimit të plotë të investimit do të ketë reduktim të stakimeve dhe defekteve, si dhe eliminim të rrezikut të aksidenteve nga linjat elektrike. Përfaqësuesit e “CEZ Shpërndarje” kanë nisur një proces konsultash paraprake me banorët e këtyre  zonave, me qëllim prezantimin e projektit.

Top Channel