Roja Bregdetare greke ka ekzekutuar një shtetas turk në orët e para të mëngjesit të së martës.

Sipas burimeve lokale, një motoskaf i drejtuar prej një shtetasi turk ka shkarkuar 7 emigrantë klandestinë në plazhin Psalidha, në ishullin Kos në Egje dhe është ndjekur prej Rojes Bregdetare, e cila ka hapur zjarr për të ndaluar skafin. Në rrethana që ende nuk dihen, disa plumba kanë goditur shtetasin turk, i cili ka vdekur në vend.

Prej konstatimiy në vendngjarje rezulton se mbi motoskafin e trafikantëve janë lëshuar disa breshëri mitralozi. Mjeti lundrues është dëmtuar rëndë. Pala turke njoftoi se ka kërkuar të kryejë ekzaminimin e trupit të viktimës si dhe ngritjen e një komisioni për zbardhjen e ngjarjes.

Sipas Rojes Bregdetare greke, skafi i trafikantëve tentoi disa herë të godasë motovedetën, ndaj dhe ushtarakët grekë e qëlluan skafin turk. Roja Bregdetare greke është vënë shpeshherë nën akuzë për akte ekstreme dhune ndaj emigrantëve.

Pak muaj më parë, një motovedetë e Rojes Bregdetare greke, në mënyrë provokative nuk u kishte dhënë ndihmën e parë 12 emigrantëve në ishullin Farmakonisi, duke i lënë ata të mbyten në ujërat e akullta të Egjeut. Ngjarja shkaktoi edhe reagimin e Bashkimit  Europian, i cili kërkoi një hetim lidhur me ngjarjen.

Top Channel