Çështja e votimit të Gjykatës Speciale për krime lufte mbetet peng i kthimit të kryeministrit Hashim Thaçi nga vizita në Japoni.

Burime të Top Channel, të afërta me këtë proces kanë bërë të ditur se materialet e nevojshme për Gjykatën Speciale tanimë janë gati, por ato duhet të marrin dritën jeshile edhe të kryeministrit për t’u proçeduar pastaj në Kuvend.

Për këtë çështje janë pajtuar gjatë fundjavës zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe presidentja Atifete Jahjaga. Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e së hënës nuk ka mundur të fusë në rend dite çështjen e Gjykatës Speciale, në mungesë të materialeve që duhet t’i dorëzojë Presidenca.

“Sot nuk kam pasur material për shqyrtim. Kur të bëhen letrat gati do të duhet të kalojnë në Kuvend, në rend të ditës”, deklaroi kryetari Jakup Krasniqi.

Sipas deklarimeve të zyrtarëve të lartë të subjekteve parlamentare, 80 votat e nevojshme për formimin e gjykatës duket se janë siguruar. “Jemi në një situatë shumë të dhimbshme, para një vendimi shumë të dhimbshëm, por me pak mundësi manovrimi”, deklaroi Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.

Mundësinë e shtyrjes së votimit për gjykatën e ka pohuar edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini. “Varet nga Presidenca a do na sjellë letrën. Nëse e sjell duhet të përgatitet ligji për këtë marrëveshje. Por kam frikë se nuk do t’ia arrijmë kësaj jave”, tha Gjini.

E nga ana tjetër, lëvizja Vetëvendosje mbetet e vetmja që e kundërshton hapur formimin e Gjykatës Speciale. “Themelimi i një gjykate të tillë do të ishte shumë i dëmshëm për Kosovën në aspektin politik por edhe në rrafshin ndërkombëtar, me dëmtimin e kombit në përgjithësi”, deklaroi Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit.

Ndërkohë, në kabinetin e presidentes Atifete Jahjaga kanë thënë se sapo ta kenë gati materialin për gjykatën do ta proçedojnë atë në Kuvend.

Këshilltari i Jahjagës për mediat, Arbër Vllahiu ka thënë përmes një përgjigjeje elektronike për Top-Channel se letra e presidentes së Kosovës i është dërguar BE-së dhe po pritet përgjigja nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri. Pasi të jetë kryer letërkëmbimi, sipas Vllahiut, letra do t’i dërgohet institucioneve përkatëse.

Top Channel