Rama: Premë fijet e krimit në polici

15/04/2014 00:00

Kryeministri dhe më pas ministri i Brendshëm deklaruan të martën se fijet e korrupsionit në radhët e policisë janë shkëputur. Një prej këmbëve, tha kryeministri, ajo që kishte krimi në Ministrinë e Brendshme, u pre.

“Kushtet kur fotot me punonjës policie shtyjnë makinën sepse u mbaron karburanti bëhen modë, sepse lufta është e pabarabartë dhe krimi më i shpejtë. Por e rëndësishme është se në këto gjashtë muaj krimit i është këputur njëra këmbë, këmba që kishte në Ministrinë e Brendshme”, deklaroi Rama.

“Ne kemi arritur në më pak se 6 muaj ta largojmë hijen e korrupsionit nga policia. Sepse edhe ata që na kanë akuzuar, e kanë kuptuar se policia dhe korrupsioni nuk janë e njëjta gjë”, deklaroi nga ana tjetër ministri Tahiri.

Kryeministri foli për gjendjen teknike të mjerueshme të aseteve policore, gjatë një ceremonie dhurimi të 30 motoçikletave, si edhe 20 kamerave të instaluara në automjetet e qarkullimit rrugor nga një firmë turke.

Rama premtoi mbështetje financiare për policine, duke shtuar se, koha e të paprekshmëve është larguar dhe ka filluar një rrugëtim i panjohur më parë.

“Sot jam shumë i inkurajuar nga ky hap i madh që hedh Policia e Shtetit në një kohë kaq të shkurtër dhe që pavarësisht pamundësive financiare e objektive të qeverisë, ne realizuam në kohë rekord fillimin e një objektivi të panjohur më parë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama dha një përgjigje politike për sulmet e opozitës ndaj ministrisë së Brendshme. “Fatkeqësisht ndodh një përpjekje, nganjëherë e përbindshme dhe fatkeqësisht si e sinkronizuar mes krimit nga njëra anë dhe politikës, që përmes krimit mundohet të zërë vendin kryesor në sytë dhe veshët e qytetarëve”, tha Rama.

Më pas automjetet policore të një teknologjie të lartë bënë një demonstrim në sheshin kryesor të kryeqytetit. Montimi i kamerave brenda automjeteve ka si qëllim rritjen e transparencës, pasi çdo gjobë dhe çdo komunikim i policit me qytetarët tashmë do të rregjistrohet.

Top Channel