Mbështetje biznesit fason

15/04/2014 00:00

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta dhe ministri Erjon Veliaj kanë inauguruar paraditen e së martës një biznes fason të sapohapur në qytetin e Bilishtit.

Punësimi i të paktën 520 grave në këtë biznes ka bërë që së bashku Meta dhe Veliaj të vlerësojnë punën e bërë atje, ndërsa e kanë konsideruar atë një biznes social që duhet të inkurajohet dhe mbështetet.

Meta tha se investime të tilla janë një kontribut i jashtëzakonshëm për komunitetin, ndërsa theksoi se ky aktivitet mbetet kryesori sa i takon punësimit dhe eksportimit në vend.

“Inkurajojmë këtë investim për të shtuar vendet e punës. Biznesi fason ka ndikim të madh në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, deklaroi Meta.

Ndërsa sipas ministrit Veliaj, kompani të tilla jo vetëm janë një hap pozitiv drejt reformës së pensioneve, por LSI dhe PS janë duke përgatitur kalimin e paketës fason, e cila do të mbështesë këto biznese që janë një prej elementëve më të rëndësishem sa i takon punësimit dhe uljes së shifrës së familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike.

“Shqipëria sot është më e besueshme për investitorët. Bashkë me LSI po përgatisim paketën e posaçme për biznesin fason, ndërkohë që së shpejti do të ketë edhe një skemë më të shëndoshë pensionesh”, tha Veliaj.

Biznesi fason në zonën jug-lindore realizohet kryesisht me partneritet nga kompani që vijnë nga Greqia, të cilat zhvendosin aktivitetin e tyre për të përfituar nga kostoja e lirë e punës.

Top Channel