Dënimi i Berluskonit, ndihmë të moshuarve

15/04/2014 00:00

Një herë në javë, për katër orë resht në shërbim të të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar në një azil të fondacionit Sacra Famiglia.

Dënimi i Silvio Berluskonit me punë në shërbim të komunitetit do të zgjasë një vit. Ky ishte vendimi i Gjykatës së Milanos në procesin gjyqësor të ish-kryeministrit italian për evazion fiskal.

Ndëshkimi alternativ për “Kavaljerin” do të ishte arresti shtëpiak.

Akuzat ndaj miliarderit 77-vjeçar lidheshin me parregullsitë në blerjen e të drejtave televizive të grupit të tij Mediaset në vitet 1990. Arsyeja përse Berluskoni nuk u dërgua prapa hekurave duhet kërkuar tek sistemi ligjor i vendit, i cili nuk është shumë i ashpër me personat mbi 70 vjeç.

Vendimi i gjykatës i ndalon ndër të tjera ish-kreut të ekzekutivit takimet me individë të cilët kanë precedentë penalë, masë kjo që prek të paktën njërin prej ndihmësve të ngushtë të tij.  

Top Channel