Opozita bllokon Këshillin e TVSH-së

15/04/2014 00:00

Edhe pse mbledhjen e një jave më parë deputetët e Komisionit të Medias ranë dakord për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit shqiptar, përsëri procesi i përzgjedhjes u bllokua nga opozita.

Kryetari i këtij komisioni, Genc Pollo, tha se deputetët e mazhorancës dhe opozitës nuk kanë gjetur konsensusin për përzgjedhjen e kandidatëve: “Kemi patur një votim mazhoritar me votat kundër të opozitës për numrin 20 dhe jemi në këtë pikë. Vendimi është i Komisionit, por vendimi është i njëanshëm në një procedurë që ligji e parashikon konsensual.”

Ndërsa Alfred Peza tha: “Mos abuzoni me konsensualizmin. Konsensual është ligji dhe çdo proces tjetër mbi një ligj konsensual i nënshtrohet votimit.”

Nënkryetari i këtij Komisioni, Alfred Peza, tha se opozita po mban peng  Radiotelevizionin shqiptar duke bllokuar procesin për përzgjedhjen e Këshillit Drejtues e më pas edhe të drejtorit të këtij institucioni: “Opozita vazhdon me strategjinë e bllokimit të reformave, e bllokimit të strukturave të reja drejtuese të institucioneve të rëndësishme, një prej të cilëve është edhe RTSH-ja, që është e bllokuar prej disa vitesh pasi edhe 10 anëtarët e këtij këshilli dhe drejtori i RTSH-së nuk janë në detyrë për shkak se ose i kanë përfunduar mandatet ose kanë dhënë dorëheqjen.”

Procesi për përzgjedhjen e Këshillit Drejtues të RTSH-së si dhe të kryetarit të saj po zvarritet prej muajsh nga opozita. Javën e ardhshme pritet që Komisioni të diskutojë për zëvendësimin e katër vendeve vakante të AMA-s.

Top Channel