Ish-kryeministri Pandeli Majko i ka dhënë fund çdo diskutimi se përse qeveria propozon faljen e gjobave tatimore për periudhën 1 mars-31 gusht të vitit të kaluar.

Zoti Majko konfirmoi në Komisionin e Ligjeve atë që zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë u rezervuan ta pohojnë kur u pyetën nga deputetët e opozitës.
 
“Nuk mund të më thoni që nuk ka pasur keqtrajtime nga ana e tatimorëve ndaj njerëzve të cilët janë angazhuar në fushatë elektorale për arsye të ndryshme. Jetojmë në Shqipëri dhe është e kotë ta diskutojmë këtë. Nëse një lokal mirëpriste një aktivitet të PS-së, të nesërmen e vizitonin tatimorët me gjobat përkatëse. Kjo nuk është një rrufe në qiell të pastër. Është thënë që në fushatën elektorale.

Por, Partia Demokratike thotë se ky akt që fal gjobat, por jo detyrimin tatimor, si dhe ky arsyetim që nuk provon asnjë abuzim në vendosjen e gjobave, shkon kundër qeverisjes së mirë të vendit.

Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, u shpreh: “Mesa duket, që nga 1 marsi keni filluar të listoni personat të cilëve duhet t’i falen gjobat. Ju i cilësoni gjoba abuzive vetëm ato që janë marrë nga përkrahësit e PS-së dhe kjo është e rëndë. Ju po thoni “topi është i imi, penalltinë do e gjuaj unë”. Kjo nuk është aspak serioze. Ta konsiderosh ligjin top, është mënyra më e gabuar për të qeverisur një vend.”

Top Channel